Një tërmet i fuqishëm, me magnitudë 7.6 të shkallës Rihter, tronditi mbrëmjen e sotme prefekturën Aomori në veri të Japonisë, rreth orës 23:00, sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze. Lëkundja u regjistrua rreth 80 kilometra larg brigjeve lindore të Aomorit, në një thellësi prej 50 kilometrash, duke detyruar autoritetet të lëshojnë menjëherë paralajmërim për cunami deri në tre metra për tre prefektura, Aomori, Hokkaido dhe Iwate.
Pak minuta pas goditjes së parë, stacionet meteorologjike raportuan se në disa zona bregdetare u shfaqën valë cunami që varionin nga 30 deri në 70 centimetra. Banorëve që jetojnë pranë detit u kërkua të largohen menjëherë drejt zonave më të sigurta dhe më të larta.
Tërmeti u vlerësua me intensitet 6+ në shkallën japoneze të matjes së dridhjeve, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së raportoi se goditja kryesore preku zonën e qytetit Misaëa. Rreth 20 minuta më vonë u regjistrua edhe një lëkundje e dytë e fortë, me magnitudë 5.6.
Dridhjet u ndjenë deri në Tokio, sipas mediave vendase. Japonia, që ndodhet në një nga zonat më aktive sizmike të planetit për shkak të përplasjes së disa pllakave tektonike, përjeton mijëra tërmete çdo vit. Kujtojmë se në vitin 2011 vendi u godit nga një prej tërmeteve më shkatërruese ndonjëherë, i cili shkaktoi cunam.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)