Një raport i fundit i Institutit të Kombeve të Bashkuara (UNU) paralajmëron se shumë rajone të botës po përjetojnë një mungesë uji të qëndrueshme, ku sistemet e furnizimit nuk mund të rikthehen më në nivelet historike.
Sipas ekspertëve që janë marrë me këtë hulumtim kjo nuk është një krizë e përkohshme, por një “falimentim hidrik” që do të kërcojë globin me një krizë të re.
Kaveh Madani, drejtori i Institutit për Ujin, Mjedisin dhe Shëndetin, tha se termi përshkruan një gjendje ku uji tërhiqet dhe ndotet më shpejt se sa mund të rinovohet dhe dëmi ekologjik është i pakthyeshëm. Sipas raportit, kjo gjendje ka ndryshuar rrënjësisht peizazhin global të rrezikut dhe ka pasoja të rëndësishme për shëndetin, ekonominë dhe sigurinë ushqimore.
Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e liqeneve të mëdha botërore janë zvogëluar që nga vitet 1990, ndërsa rreth 35% e moçaleve natyrore janë humbur që nga 1970.
Pothuajse tre të katërtat e popullsisë jetojnë në vende me siguri të dobët të ujit, dhe rreth katër miliardë njerëz përjetojnë mungesë të ujit të rëndë për të paktën një muaj në vit.
Raporti nënvizon se barrën më të madhe e përballojnë fermerët e vegjël, popujt indigjenë, banorët urbanë me të ardhura të ulëta, gratë dhe të rinjtë, ndërsa përfitimet shpesh shkojnë tek aktorët më të fuqishëm.
Madani theksoi se trajtimi i kësaj gjendjeje si një krizë e përkohshme do të thellojë dëmin ekologjik dhe konfliktet sociale. Ai e sheh “falimentimin hidrik” si një thirrje alarmante për të nisur ndalimin e humbjeve, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore dhe investime në rindërtimin e sistemeve ujorë për të siguruar ujë për të ardhmen.
“Normaliteti i mëparshëm është zhdukur,” tha Madani, “por me veprime të guximshme mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme për ujin.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)