Korrupsioni në Korenë e Jugut, 20 muaj burg për ish-zonjën e parë

Prej mungesës së provave ajo u shpall e pafajshme për akuzat lidhur me manipulim të tregut financiar dhe shkelje të ligjeve për financimin e politikës.

28.01.2026. 13:42

Korrupsioni në Korenë e Jugut, 20 muaj burg për ish-zonjën e parë

Gjykata Qendrore e Distriktit të Seulit ka dënuar ish-zonjën e parë të Koresë së Jugut, Kim Keon Hee, me 20 muaj burg për akuzën e korrupsionit. Sipas raportimeve të agjencisë “Yonhap”, vendimi përbën dënimin e parë ndaj saj në kuadër të disa procedimeve penale që vijojnë.

Gjykata e shpalli fajtore Kim Keon Hee për pranimin e dhuratave luksoze nga Kisha e Unifikimit, një nga sektet fetare më me ndikim në vend. Gjithçka bëhej në këmbim të favoreve tregtare. Ndërkohë, prej mungesës së provave ajo u shpall e pafajshme për akuzat lidhur me manipulim të tregut financiar dhe shkelje të ligjeve për financimin e politikës.

Prokuroria speciale, e drejtuar nga Min Joong-ki kishte kërkuar dënim prej 15 vitesh burg, duke e akuzuar Kim për korrupsion, manipulim të çmimit të aksioneve dhe shkelje të ligjit për financimin politik. Vendimi ndaj ish-zonjës së parë vjen rreth tre javë përpara shpalljes së dënimit për bashkëshortin e saj, ish-presidentin Yoon Suk Yeol, i cili ndodhet në burg pasi një vit më parë shpalli ligjin e jashtëzakonshëm.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)