Ndërsa tensionet dhe luftimet vijojnë në Lindjen e Mesme, kompania ajrore “Qatar Airways” ka ndërmarrë një hap të pazakontë për të mbrojtur flotën e saj, zhvendosjen e avionëve mijëra kilometra larg rajonit të rrezikut.
Sipas të dhënave të fundit, me dhjetëra avionë të kësaj kompanie janë dërguar në Aeroportin e Teruelit, një qendër shtetërore në lindje të Spanjës, e njohur si një nga bazat më të mëdha në Evropë për mirëmbajtjen dhe magazinimin e avionëve. Ky aeroport, i cili ndodhet mes qyteteve Valencia dhe Madrid, është bërë shpesh i famshëm si “aeroporti ku avionët parkohen”.
Vendimi vjen në një kohë kur hapësira ajrore mbi Doha, qendra kryesore e fluturimeve të kompanisë, është pjesërisht e kufizuar për shkak të situatës së sigurisë në rajon. Kjo ka detyruar kompaninë të reduktojë ndjeshëm oraret e fluturimeve dhe të kërkojë alternativa për parkimin e avionëve.
Në një deklaratë për mediat, kompania theksoi se kjo është një masë e përkohshme.
“Për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme në rajon dhe ndërprerjeve të operacioneve ajrore përtej kontrollit tonë, kemi pozicionuar disa nga avionët tanë në aeroporte të përzgjedhura jashtë Katarit.”
Të dhënat nga platforma Flightradar24 tregojnë se fillimisht në Teruel ndodheshin 15 avionë, ndërsa pesë të tjerë iu shtuan gjatë fundjavës.
Aeroporti i Teruelit është përdorur gjerësisht edhe gjatë pandemisë së COVID-19, kur rreth 140 avionë nga e gjithë bota u parkua aty. Klima e thatë dhe kushtet e favorshme e bëjnë atë një vend ideal për ruajtjen afatgjatë të flotave ajrore.
Autoritetet e aviacionit në Katar kanë njoftuar se operacionet e plota do të rifillojnë vetëm pasi hapësira ajrore të konsiderohet sërish e sigurt. Deri atëherë, avionët luksozë të Katarit do të qëndrojnë larg rrezikut, në “strehën” e tyre europiane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)