Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në fshatin Barnham të Suffolk-ut në Angli po rishkruan historinë e evolucionit njerëzor. Studiuesit britanikë kanë dokumentuar provat më të hershme të njohura deri më sot të zjarrit të krijuar nga njeriu, një arritje e lashtë që daton rreth 400.000 vjet më parë. Deri tani, mendohej se njerëzit nisën ta ndiznin zjarrin shumë më vonë, duke e shtyrë kronologjinë me më shumë se 350 mijë vjet.
BBC News, e cila pati ekskluzivitetin e parë nga vendi i gërmimeve, raporton se ekipi i British Museum ka zbuluar një vatër të lashtë, mjete guri të djegura dhe një mjet të primitivit të ndezjes së zjarrit, një copë stralli e përdorur së bashku me mineralin pirite, i njohur si “ari i budallenjve”. Goditja e strallit me piriten krijonte shkëndija, duke formuar kështu një lloj çakmaku prehistorik.
Analizat gjeologjike treguan se shtresa e tokës në vendin e zbulimit kishte marrë ngjyrë të kuqërremtë nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta, provë e përsëritur e zjarreve të vogla të ndezura qëllimisht. Kjo shtresë ishte vendosur mbi depozita të vjetra pellgu, duke treguar se vendi ishte shfrytëzuar si një hapësirë e qëndrueshme për ndezjen e zjarrit.
Arkeologët theksojnë se kjo teknologji e hershme është përdorur nga paraardhësit e Neandertalëve, jo nga Homo sapiens. Sipas Prof. Chris Stringer të Muzeut të Historisë Natyrore, aftësia për të ndezur zjarr në çdo moment ishte thelbësore për përshtatjen në klimën britanike dhe çeli një epokë të re në zhvillimin njerëzor, ushqim më të tretshëm, tru më të zhvilluar, më shumë bashkëpunim dhe fillimet e gjuhës.
Zbulimi, i botuar në revistën “Nature”, konsiderohet një hap thelbësor në kërkimin global për të kuptuar se ku dhe si lindi teknologjia që ndryshoi rrënjësisht fatin e njerëzimit. Arkeologët besojnë se vendet e tjera në Evropë mund të fshehin prova të ngjashme, ndërsa kërkimet vazhdojnë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)