Lando Norris i jep fund dominimit të Verstappen, britaniku është kampioni i ri i botës në F1

Lando Norris është kampioni i ri i botës në Formula 1. Piloti i McLaren, edhe pse u rendit i treti në garën e Abu Dhabit, ka mjaftueshëm pikë për të mbyllur sezonin para Max Verstapen dhe shokut të tij të skuadrës, Oscar Piastri.

07.12.2025. 15:36 >> 15:51

Lando Norris i jep fund dominimit të Verstappen, britaniku është kampioni i ri i botës në F1

Lando Norris është shpallur kampion bote në Formula 1 për herë të parë pasi u rendit i treti në Çmimin e Madh të Abu Dhabit. 26-vjeçari bëhet britaniku i 11-të që fiton titullin e F1 dhe është piloti i parë i McLaren që e arrin këtë që prej Lewis Hamilton në vitin 2008.

Norris, në fund të sezonit të tij të shtatë në nivelin më të lartë, i jep fund sundimit katërvjeçar të Verstappen në këtë sport, duke triumfuar pavarësisht rikthimit jashtëzakonshëm të pilotit të Red Bull në fund të sezonit.

Kampionati mes tyre përfundoi me vetëm dy pikë diferencë, pavarësisht se hollandezi dominoi garën finale të së dielës dhe e fitoi atë.

Verstappen u nis dhe fitoi nga pole position, me pretendentin tjetër për titull, Oscar Piastri që u rendit i dyti, pasi parakaloi shokun e skuadrës Norris në xhiron e parë. Por humbja ndaj dy rivalëve të tij të drejtpërdrejtë nuk pati ndikim për Norris, i cili e dinte se pozita e tretë do të mjaftonte për t’i siguruar titullin, pavarësisht se çfarë bënin ata.

Momenti i vetëm i tensionuar për Norris në garë erdhi pas pitsopit ku në xhiron 16, iu desh të parakalonte makina që kishin qëndruar më gjatë në pistë me goma më të vjetra. Aty përfshihej edhe Yuki Tsunoda në Red Bull-in e dytë, me pilotin japonez që mori një penalizim prej pesë sekondash pasi e detyroi Norrisin të parakalonte nga jashtë pistës në vijën e drejtë.

Një paraqitje e fortë nga Charles Leclerc bëri që piloti i Ferrarit të ishte një kërcënim për pozicionin e Norrisit gjatë pjesës më të madhe të garës, por në fund përfundoi mbi pesë sekonda pas tij.

Lewis Hamilton mbylli sezonin e tij të vështirë të parë me Ferrarin me një paraqitje të mirë të dielën, duke u ngjitur nga vendi i 16-të në nisje në vendin e tetë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)