Fjalën e tij në asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë nr.2 në Tiranë, kryeministri Edi Rama e nisi me çështjen e pagave dhe pensioneve, për të cilat u shpreh se janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Sipas kreut të qeverisë në sektorin publik tashmë po njihet vjetërsia në punë, teksa shtoi se pensionet po rriten nga viti në vit për shkak të planit të prezantuar së fundmi nga qeveria.
“Pagat në sektorin publik janë rritur. Kështu bëmë me mjekët, ushtarakë, mësuesit, po njohim vjetërsinë në punë. Nuk është e njëjta pagë në fund të ditës edhe pse në regjistrin e të punësuarve janë dy specialistë të të njëjtit specialitet, njëri është i ri dhe tjetri ka 20 vjet eksperiencë. Këto janë gjëra normale, por nuk i bënim dot më parë se nuk kishim buxhet. Pensionet kanë hyrë në planin e rritjes, që është 4 vit rresht. Ku çdo vit rritja do të dyfishohet. Na janë krijuar mundësitë”, u shpreh Rama.
Rama deklaroi më tej se këto gjëra po bëhen të mundura falë funksionimit të ekonomisë.
Kryeministri u ndal dhe në situatën e krijuar së fundmi nga lufta në Iran, duke thënë se qeveria nuk po rri duarkryq dhe se ka marrë masa për të siguruar transparencë në tregjet e hidrokarbureve dhe të mos lejojë rritjen abuzive të çmimeve përmes Bordit të Transparencës.
Ai shtoi se shumë shpejt edhe shteti do të futet në tregun e hidrokarbureve.
“Kjo do të thotë se funksionon ekonomia. E mësuam që ekonomia nuk është e lidhur vetëm me atë që bëjmë këtu, por edhe me atë që ndodh larg nesh. E mësuam këtë gjë me pandeminë, me luftën në Ukrainë, por edhe tani po e shikojmë me naftën që po ndikohet nga lufta në Iran. Kemi mësuar që ne nuk rrimë me duar kryq dhe themi “kjo është situata”. Qoftë me pandeminë, qoftë me tërmetin ne kemi bërë reagime që kanë lehtësuar njerëzit. Jemi i vetmi vend që kemi ulur çmimin e energjisë. Po diktojmë çmimin e naftës me Bordin e Transparencës. Duhet të futet dhe shteti në këtë treg dhe shteti duke u futur të garantojë rezerva për çdo rast, e dyta të ndikojë në çmimin e naftës, duke e sjellë atë në parametra të arsyeshëm. Ne po përgatitemi që të futemi në treg me një komponent shtetëror, por që të fusim në tregun e naftës dhe risi që kanë të bëjë me kapacitetet teknologjike”, tha Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)