Audi ka bërë debutimin e tij zyrtar me një prezantim spektakolar për R26, njëvendëshën me të cilën do të garojë në Botërorin 2026 të Formula 1. Shfaqja mbresëlënëse multimediale në Berlin, shënoi prezantimin e ngjyrave të makinës. Kjo ishte edhe lëvizja e fundit që kompletoi transformimin e ekipit nga Sauber, në markën e mirënjohur me katër unaza.
Në kryeqytetin gjerman, R26 u shfaq me një ngjyrë bazë argjendi, e kombinuar me tona të kuqe dhe të zeza mbi kapakun e motorit dhe pjesën e pasme të makinës. Logo e Audi-t ishte e pozicionuar në qendër. Pilotët Nico Hulkenberg dhe Gabriel Bortoleto ishin të veshur me kostume thuajse tërësisht të zeza, me detaje të kuqe.
“Është një nder të garoj për Audi-n. Ndihem pjesë e një projekti të madh dhe mezi pres të fillojmë. Pas shumë vitesh në Formula 1 kam mësuar të dalloj mes ambicies dhe aftësisë. Këtu ndjej seriozitet dhe energji të jashtëzakonshme. Jemi një ekip i vërtetë, me një vizion të qartë dhe burime me nivel botëror. Po pres me padurim të zbres me këtë makinë në pistën e Melbourne”, tha Hulkenberg.
Botërori 2026 do të nisë në datën 8 mars, në cirkuitin “Albert Park” të Melbourne. Duke kombinuar ambicien dhe inovacion teknologjik, Audi duket gati të bëjë një start të fortë të kampionatit, duke nisur nga Çmimi i Madh i Australisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)