Procedim penal për tre futbollistë të Ilirisë, dhunuan lojtarët e Skënderbeut

Njoftimi i policisë, pas incidenteve të dhunshme përpara ndeshjes në Fushë-Krujë. Priten edhe vendimet e komisioneve të FSHF-së rreth ndeshjes dhe dënimet për agresionin fizik.

04.12.2025. 15:12

Procedim penal për tre futbollistë të Ilirisë, dhunuan lojtarët e Skënderbeut

Policia e Krujës ka bërë të ditur se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tre futbollistëve të ekipit të Ilirisë, pas një konflikti të ndodhur në dhomat e zhveshjes, pak para fillimit të ndeshjes Iliria–Skënderbeu.

Sipas uniformave blu, të proceduarit janë Adolf Selmani, Brajan Selmani dhe Jornels Selmani, i cili edhe pse është cilësuar si lojtar aktiv, në fakt është pjesë e stafit teknik të skuadrës nga Fushë-Kruja.

Sipas njoftimit zyrtar, të tre dyshohet se janë konfliktuar me lojtarë dhe pjesëtarë të stafit të Skënderbeut, ku si pasojë është dëmtuar lehtë futbollisti S. N.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Krujës kanë referuar materialet në Prokurori. Procedimi është hapur mbi bazën e dyshimeve se ka pasur konfrontim fizik mes dy ekipeve në dhomat e zhveshjes, para ndeshjes.

Pas incidentit, që ndodhi menjëherë sapo Skënderbeu mbërriti në stadium, skuadra korçare u ngujua në dhomat e zhveshjes dhe refuzoi të dilte në fushë. Vendimi i tyre u mbështet edhe nga Federata e Futbollit, që njoftoi zyrtarisht se ndeshja e javës së 14-të në Kategorinë e Parë nuk do të luhej. Tashmë pritet vendimi i komisioneve juridike të FSHF-së, për atë që do të ndodhë me fatin e ndeshjes, por edhe ndëshkimet e mundshme nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)