Federata Shqiptare e Futbollit dhe ‘Macron’ kanë prezantuar uniformat e reja që do të përdorë Kombëtarja shqiptare në sezonin 2026/27. Kuqezinjtë do t’i veshin për herë të parë në ndeshjen e play-off-it të Kupës së Botës 2026 kundër Polonisë, më 26 mars në Varshavë.
Koleksioni përfshin tre fanella: atë të ndeshjeve në shtëpi, në transfertë dhe fanellën e tretë.
Ngjyrat kryesore mbeten simbolike për ekipin kombëtar, e kuqja, e zeza dhe e bardha e zbehtë, të cilat janë të kombinuara me grafikë moderne dhe materiale teknike të cilësisë së lartë.
Uniformat janë prodhuar nga Eco Fabrics, me plastikë 100% të ricikluar pas konsumit.
Fanella e shtëpisë është e kuqe me detaje të zeza dhe përmban një grafik me vija të valëzuara që krijojnë iluzionin e shqiponjës dykrenare në pjesën e gjoksit. Në pjesën e pasme shfaqet mbishkrimi “SHQIPËRI”, ndërsa brenda fanellës është vendosur edhe fraza e njohur “Ti Shqipëri, më jep nder”.
Uniforma e transfertës është tërësisht e zezë dhe përfshin një grafik të stampuar me motive rrethore që përfaqësojnë zambakun, simbol që lidhet me përkrenaren e heroit kombëtar Skënderbeu.
Ndërkohë, fanella e tretë ka ngjyrë të bardhë të zbehtë me detaje të kuqe dhe paraqet të njëjtin grafik të stilizuar të shqiponjës si fanella e shtëpisë.
Të gjitha uniformat janë të pajisura me panele Eco Micromesh dhe Eco Mesh për frymëmarrje dhe rehati më të madhe gjatë lojës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)