Çerekfinalja e garës prej 1500 metrash në pistë të shkurtër, në Lojërat Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Milano, u eklipsua nga një përplasje e rëndë në pistë, ku protagoniste ishte Kamila Sellier.
Patinatorja 25-vjeçare polake ra me shpejtësi të lartë dhe u godit në fytyrë nga tehu i mprehtë i patinës së konkurrentes tjetër, Kristen Santos-Griswold.
Sellier pësoi një prerje të rëndë poshtë syrit dhe menjëherë filloi t’i rrjedhë gjak. Goditja ishte aq intensive sa pamjet me lëvizje të ngadalta zbuluan se nëse tehu i patinës do t’i kalonte vetëm disa milimetra më afër, dëmtimi mund të kishte çuar në verbëri të pjesshme.
Patinatorja polake u trajtua menjëherë në pistën e akullt nga mjekët, pas një çarçafi të bardhë dhe u nxor nga aty me barelë për t’u dërguar në spital.
Të pranishmit që ishin tronditur nga incidenti u lehtësuan kur atletja dha shenjën e miratimit me gishtin e madh se ishte në gjendje të mirë.
Konrad Niedzëiedzki, shefi i misionit të kontingjentit polak dha një përditësim pak më pas duke thënë se gjendja e Sellier është stabile.
“Prerja në faqen e saj është qepur tashmë. Dyshohet për një dëmtim më serioz në mollëz, pasi atje ka ënjtje të konsiderueshme. Megjithatë, ende nuk dihen detaje të mëtejshme. Sellier ka qënë e vetëdijshme gjatë gjithë kohës”, tha ai.
Sakaq, gara e patinazhit të shpejtë në pistë të shkurtër prej 1,500 metrash u ndërpre dhe u desh të rifillonte. Megjithatë, për shkak se si Sellier ashtu edhe Santos-Griswold u skualifikuan për shtytje, gara kur rinisi u zhvillua vetëm me katër atletë në vend të gjashtë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)