I besuari i Putinit, Kirill Dmitriev njoftoi përmes një postimi në ‘X’ se po udhëtonte për në Majemi të SHBA-së, ku kanë filluar bisedimet si pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
"Rrugës për në Miami", shkroi Dmitriev dhe mesazhit i shtoi një emoji pëllumbi dhe një video të shkurtër që tregon diellin e mëngjesit duke depërtuar përmes reve mbi një plazh të rrethuar me palma.
“Ndërsa luftënxitësit vazhdojnë të punojnë shumë për të minuar planin amerikan të paqes për Ukrainën, mu kujtua kjo video nga vizita ime e mëparshme: drita që depërton përmes reve të stuhisë”, shkroi ai më tej duke thumbuar indirekt edhe liderët europianë, të cilët Moska i akuzon si grupi që po minon negociatat për paqen.
Një delegacion ukrainas dhe evropian ka udhëtuar gjithashtu në qytetin e Floridas për të marrë pjesë në negociatat e udhëhequra nga i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan.
Megjithatë, nuk ka gjasa që Kirill Dmitriev të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me negociatorët ukrainas dhe evropianë, pasi marrëdhëniet midis dy palëve mbeten jashtëzakonisht të tensionuara.
Witkoff dhe Kushner sakaq u takuan me negociatorin ukrainas Rustem Umerov dhe përfaqësuesit e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë pranë Majemit të premten.
Pas këtyre bisedimeve, Umerov thjesht siguroi se delegacioni i tij ishte dakord me amerikanët "për të vazhduar punën së bashku në të ardhmen e afërt". Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e evropianëve është diçka e re në krahasim me takimet e mëparshme që u zhvilluan në javët e fundit midis ukrainasve dhe amerikanëve në Gjenevë, Majemi dhe Berlin.
Dje, ndërsa filloi ky raund i ri bisedimesh, kreu i diplomacisë amerikane Marco Rubio siguroi se asnjë marrëveshje nuk do t'i imponohej Ukrainës.
"Varet prej tyre të bëjnë një marrëveshje. Ne nuk mund ta detyrojmë askënd të bëjë një marrëveshje. Ne nuk mund ta detyrojmë Rusinë të bëjë një marrëveshje. Ata duhet ta duan", vuri në dukje Sekretari i Shtetit i SHBA-së në një konferencë për shtyp në Uashington.
Bisedimet diplomatike që synojnë t’i japin fund luftës janë përshpejtuar në javët e fundit pas publikimit të një plani të administratës Trump, i cili nuk ka çuar në një armëpushim. Në fushën e betejës, Rusia vazhdon të shënjestrojë infrastrukturën ukrainase dhe mbrëmë, një raketë balistike vrau 7 persona dhe plagosi 15 të tjerë pranë Odessa-s, siç njoftoi guvernatori lokal Oleg Kiper.
Moska njoftoi gjithashtu sot se kishte pushtuar dy fshatra në rajonet e Sumy-t, në veri të Ukrainës, dhe Donetskut, në lindje. Nga ana tjetër, Kievi njoftoi sot se kishte shkatërruar dy avionë luftarakë rusë në një aeroport të vendosur në gadishullin e pushtuar të Krimesë, sipas shërbimeve të sigurisë, SBU-ja ukrainase.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump i bëri presion Kievit që të veprojë shpejt në një takim informues me gazetarët në Zyrën Ovale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)