Syzet e diellit të silit aviator që ka përdorur javën e fundit, Presidenti francez Emmanuel Macron, veçanërisht gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, janë bërë hit në rrjetet sociale.
Përveçse u komentuan me ironi nga Donald Trump, përdorimi i tyre nga Macron ka bërë që aksionet e prodhuesit iVision Tech të rriten me gati 28% këtë të enjte. Rritja e aksioneve ndodhi menjëherë pasi Presidenti francez postoi në rrjetet sociale foto duke i përdorur ato syze.
Grupi, i cili zotëron markën franceze të syzeve luksoze dhe syzeve të diellit Henry Jullien, tha të mërkurën se modeli që mbante veshur Macron ishte Pacific S 01, me çmim 659 euro.
Rritja e aksioneve i shtoi rreth 3.5 milionë euro kapitalizimit të tregut të kësaj kompanie.
Sakaq në rrjetet sociale ka pasur meme, komente dhe spekulime rreth pamjes së Macron, madje me disa referenca për filmin e vitit 1986, Top Gun, me protagonist Tom Cruise.
Zyra e Macron tha se zgjedhja e presidentit për të mbajtur syze dielli gjatë fjalimit të tij në Davos, i cili u mbajt në ambiente të mbyllura, ishte për të mbrojtur sytë nga një venë gjaku e çarë që i kishte shkaktuar skuqje dhe enjtje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)