Një radar amerikan me rëndësi strategjike, me vlerë rreth 300 milionë dollarë, është shkatërruar gjatë një sulmi iranian në bazën ajrore Muwaffaq Salti në Jordani, duke shkaktuar shqetësime për sigurinë e sistemeve të mbrojtjes ajrore në rajonin e Gjirit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, radari i tipit AN/TPY-2 dhe pajisjet shoqëruese të sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave THAAD u goditën në ditët e para të përshkallëzimit të konfliktit.
Informacioni është konfirmuar nga një zyrtar amerikan, ndërsa më herët ishte raportuar edhe nga mediat, bazuar në analiza të imazheve satelitore komerciale.
Të dhënat tregojnë se në territorin e Jordanisë janë regjistruar të paktën dy sulme iraniane, më 28 shkurt dhe më 3 mars. Autoritetet kanë deklaruar se sulmet u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por fotografitë satelitore sugjerojnë se radari dhe disa pajisje të sistemit THAAD janë shkatërruar.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se një goditje e suksesshme ndaj radarit AN/TPY-2 do të përbënte një nga operacionet më të rëndësishme iraniane deri më tani, pasi ky radar luan rol kyç në zbulimin dhe drejtimin e sistemeve të mbrojtjes kundër raketave.
Megjithatë, analistët theksojnë se ushtria amerikane dhe aleatët e saj në rajon disponojnë edhe sisteme të tjera radari dhe mbrojtëse, të cilat mund të vazhdojnë të sigurojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër-raketore në Lindjen e Mesme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)