Një histori dashurie që kishte nisur dekada më parë dhe dukej si një përrallë e rilindur, është ndërprerë papritur nga autoritetet e emigracionit në Shtetet e Bashkuara.
Marie-Thérèse, 86 vjeçe nga Nantes, u zhvendos në SHBA në vitin 2025 për të jetuar me dashurinë e saj të vjetër, një amerikan të quajtur Billy.
Ata ishin njohur në fund të viteve ’50, kur ai shërbente si ushtar në Francë. Jeta i kishte ndarë për dekada, secili duke krijuar familjen e vet, derisa u ribashkuan në vitet e fundit dhe vendosën të martoheshin.
Por lumturia e tyre zgjati pak. Në janar 2026, bashkëshorti i saj ndërroi jetë, duke e lënë Marie-Thérèse në një situatë të pasigurt, ndërsa ajo ende priste dokumentet për qëndrim të përhershëm.
Më 1 prill agjentët e ICE e arrestuan në shtëpinë e saj në Anniston duke i vënë pranga në duar dhe këmbë. Familja e saj e përshkroi momentin si tronditës dhe të padenjë për një grua të moshuar që kërkonte vetëm të jetonte pranë njeriut që donte.
Rasti u ndërlikua edhe nga konfliktet për trashëgiminë me familjen e bashkëshortit, ndërsa autoritetet amerikane deklaruan se ajo kishte tejkaluar afatin e vizës.
Sot, Marie-Thérèse ndodhet në një qendër ndalimi, larg shtëpisë dhe kujtimeve të dashurisë së saj.
Fëmijët e saj thonë se ajo mbetet e fortë, ndërsa e quajnë “e pathyeshmja”, por historia e saj ka prekur shumë njerëz si një shembull i dhimbshëm se si burokracia mund të ndërpresë edhe historitë më të bukura njerëzore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)