E paprecedentë në Kosovë, deputeti i Kuvendit i uron burgim të përjetshëm Thaçit

Deklarata nga Fatos Geci, anëtar i partisë Guxo dhe pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Ndërhyn edhe kryeministri Kurti, i cili është distancuar nga qëndrimi i deputetit.

22.04.2026. 14:47

E paprecedentë në Kosovë, deputeti i Kuvendit i uron burgim të përjetshëm Thaçit

Një deklaratë e bërë në Kuvendin e Kosovës nga deputeti Fatos Geci ka shkaktuar reagime të forta politike dhe debat të gjerë publik. Geci, anëtar i partisë Guxo dhe pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, u shpreh se shpreson që ish-presidenti Hashim Thaçi të marrë dënim me burgim të përjetshëm nga Gjykata Speciale në Hagë.

Gjatë fjalës së tij, Geci bëri një krahasim me një rast tjetër gjyqësor, duke iu referuar dënimit të dhënë ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt. Ai shtoi se “të njëjtin fat” do ta kishte edhe Thaçi në procesin në Hagë. Deklarata u prit menjëherë me reagime të ashpra nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila e cilësoi gjuhën e përdorur si fyese ndaj figurave politike dhe historike të vendit, si dhe ndaj kontributit të luftës së UÇK-së.

Në Kuvend, tensionet u rritën edhe më tej pas përplasjes verbale mes deputetëve, ndërsa opozita e akuzoi mazhorancën për retorikë përçarëse dhe mungesë respekti institucional. Pas reagimeve publike, ka ndërhyrë edhe kryeministri Albin Kurti. Ai u distancua nga deklarata e deputetit Geci.

Kurti theksoi se qëndrimi i tillë nuk përfaqëson institucionet qeverisëse dhe se përfaqësuesit të partisë Guxo i është tërhequr vëmendja për përdorimin e gjuhës në Kuvend. Kurti nënvizoi gjithashtu besimin e tij në procesin e drejtësisë ndërkombëtare dhe në luftën çlirimtare të Kosovës, duke u përpjekur të ulë tensionet e krijuara nga deklarata.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)