Bahamas është bërë shteti i 121-të që e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, me vendimin e firmosur këtë të premte.
Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku sqaron se marrëveshja për njohjen e Kosovës është arritur në kryeqytetin e Bahamas, Nassau.
“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkroi Presidentja Osmani.
Marrëveshja për njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në prani të përfaqësuesve të të dyja shteteve, përfshirë Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis. Me këtë akt, Kosova dhe Bahamas zyrtarizojnë nisjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit dypalësh.
Në deklaratën e përbashkët, palët theksojnë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
Po ashtu, riafirmohet përkushtimi ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Kosova dhe Bahamas shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, si dhe shkëmbimet ndërmjet qytetarëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)