Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, mbrojtja ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me provat. Avokati i Ballukut, Ardian Kalija, kërkoi gjatë mbledhjes që të njihet me materialet e dorëzuara nga SPAK në Kuvend.
Konkretisht ai kërkoi akses në USB-në me provat e dorëzuara dhe theksoi se për një mbrojtje të plotë i nevojitet më tepër kohë, sepse dosja përmban rreth 10 mijë faqe. “Më duhen tre javë për t’u njohur me të gjitha aktet”, deklaroi Kalija, duke kërkuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve.
Nga ana e tyre, prokurorët e SPAK, me në krye kreun e institucionit, Klodian Braho, u shprehën se avokati i Ballukut mund të njihet me provat, por vlerësuan se pesë ditë janë të mjaftueshme për shqyrtimin e materialeve.
Ndërkohë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord për shtyrjen e mbledhjes, teksa përfaqësuesit socialistë propozuan që seanca e radhës të zhvillohet më 19 janar 2026. Gjithsesi, data përfundimtare pritet të konfirmohet nga Këshilli i Mandateve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)