Një muaj pas arrestimit, Britney Spears shtrohet vullnetarisht në një qendër rehabilitimi: Kam prekur fundin!

Këngëtarja 44-vjeçare kishte përfunduar në pranga afro një muaj më parë, me akuzën e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur.

13.04.2026. 14:00

Një muaj pas arrestimit, Britney Spears shtrohet vullnetarisht në një qendër rehabilitimi: Kam prekur fundin!

Ylli i muzikës pop, Britney Spears është shtruar vullnetarisht në një qendër për trajtimin e varësive. Lajmi është dhënë nga një përfaqësues i këngëtares, i cili konfirmoi situatën për mediat ndërkombëtare. Këngëtarja 44-vjeçare kishte përfunduar në pranga afro një muaj më parë, me akuzën e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur.

Sipas autoriteteve në Kaliforni, policia mori një sinjalizim më 5 mars për një automjet që lëvizte në mënyrë të rrezikshme në zonën e Ventura County, pranë kufirit me Los Angeles. Spears u ndalua nga patrulla rrugore dhe iu nënshtrua testeve në vendngjarje, përpara se të arrestohej nën dyshimin se po drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe substancave të tjera. Ajo u dërgua në paraburgim dhe u lirua disa orë më vonë.

Çështja kaloi në zyrën e prokurorit të distriktit në Ventura, që pritet të vendosë për akuzat përpara seancës së planifikuar më 4 maj. Burime pranë artistes bëjnë të ditur se familjarët dhe njerëzit e afërt e kishin nxitur prej kohësh të kërkonte ndihmë, ndërsa vetë ajo ka pranuar se “ka prekur fundin”. Ky vendim konsiderohet si hapi i parë drejt ndryshimit, si në aspektin personal, ashtu edhe në përballjen me drejtësinë.

Kohëzgjatja e trajtimit nuk është bërë ende e ditur. Në vitet e fundit, Spears është tërhequr nga muzika. Ajo nuk ka zhvilluar turne prej gati tetë vitesh dhe nuk ka publikuar album të ri prej një dekade. Në vitin 2021, këngëtarja rifitoi kontrollin mbi jetën dhe financat e saj pas përfundimit të kujdestarisë ligjore që kishte zgjatur afro 14 vite. Dy vite më vonë, publikoi librin autobiografik “Femra brenda meje”, i cili pati sukses të madh.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)