“Hijet” në Tiranë: Rrëmbyen dhe dhunuan 32-vjeçarin për para, dy të arrestuar dhe një në kërkim

Tre persona dyshohet se më 31 mars 2026 kanë rrëmbyer me forcë një 32-vjeçar, duke e transportuar në një ambient privat në Xhafzotaj.

13.04.2026. 14:34

“Hijet” në Tiranë: Rrëmbyen dhe dhunuan 32-vjeçarin për para, dy të arrestuar dhe një në kërkim

Një operacion policor i koduar me emrin “Hijet” është finalizuar në Tiranë, duke zbardhur një rast të rëndë rrëmbimi dhe dhune për përfitime financiare. Sipas njoftimit zyrtar, tre persona dyshohet se më 31 mars 2026 kanë rrëmbyer me forcë një 32-vjeçar, duke e transportuar në një ambient privat në Xhafzotaj.

Aty e kanë mbajtur për disa orë nën kërcënim dhe dhunë fizike për t’i marrë një shumë parash. Operacioni u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë. Kallëzimi ishte bërë nga vetë viktima.

Në kuadër të ndërhyrjes, u arrestuan dy prej autorëve të dyshuar, shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç, ndërsa një tjetër, J. N., 28 vjeç, është shpallur në kërkim. Gjatë operacionit, policia sekuestroi 5 automjete, 5 telefona celularë, një shumë parash dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale për hetimin.

Foto nga video

Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për kapjen e personit në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)