Begaj mesazh bashkimi në 113-vjetorin e Pavarësisë: Ta çojmë në vend amanetin e të parëve, Shqipërinë në BE
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare dhe në Diasporë, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, trojet shqiptare dhe Diasporë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë. Nga ceremonia zyrtare në Pallatin e Brigadave, ku morën pjesë edhe familjarë të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe orientimit të vendit drejt integrimit evropian.
Në fjalën e tij, Begaj u ndal tek përparimi i Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Evropian, duke theksuar se mbyllja e kapitujve deri në vitin 2027 mbetet objektiv strategjik. Ai bëri thirrje për më shumë bashkëpunim institucional dhe politik, duke theksuar se uniteti kombëtar është kusht i domosdoshëm në rrugën drejt BE-së.
“Le të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë dhe të ecim bashkë drejt integrimit evropian”, u shpreh Presidenti.
Foto: Presidenca e Shqipërisë
Begaj vlerësoi gjithashtu partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë thelbësor për sigurinë dhe të ardhmen e vendit, ndërsa nënvizoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe aleate e palëkundur e NATO-s.
Presidenti u ndal edhe tek pjesëmarrja e Diasporës në zgjedhjet e vitit 2024, duke e konsideruar atë një hap historik drejt një shteti më gjithëpërfshirës. Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve jashtë vendit si urë bashkëpunimi dhe zhvillimi për Shqipërinë.
Në mesazhin e tij, Begaj nënvizoi se pavarësia nuk duhet parë vetëm si festë, por si detyrim i përditshëm për forcimin e shtetit, funksionimin e drejtësisë dhe rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet.
“Interesi kombëtar duhet vendosur mbi atë partiak. Vetëm kështu kapërcejmë ndasitë që ngadalësojnë rrugën tonë evropiane,” tha ai, duke bërë thirrje për më shumë dialog dhe kulturë bashkëpunimi.
Në mbyllje, Presidenti rikujtoi vlerat e firmëtarëve të Pavarësisë dhe uroi shqiptarët me fjalët: “Le të ngremë një dolli për flamurin kuqezi, për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Kryeministri Rama zhvilloi një takim me socialistët e njësisë nr.2 në Tiranë, ku foli për rrogat dhe pensionet dhe situatën ku ndodhet ekonomia për shkak të luftës në Iran dhe ndikimeve të saj.
Në këtë nismë pritet të angazhohen drejtues të qeverisë, deputetë dhe kryetarë bashkish, të cilët do të zbresin në terren për të prezantuar punën e bërë dhe për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.
Radhët e gjata rikthehen në Kapshticë, pasi pala greke ka nisur identifikimin elektronik, fotografimin dhe marrjen e shenjave të gishtave të kujtdo që hyn në territorin e saj.
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin antidrogë "Night Clubs" ku ka identifikuar 11 administratorë lokalesh që shpërndanin drogë ekstazi.Nga 11 masa sigurie janë ekzekutuar 9 prej tyre, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Komente (0)