“Punët e Shqipërisë” nga veriu në jug, Rama nxjerr ministrat e deputetët të dëgjojnë hallet e qytetarëve

Në këtë nismë pritet të angazhohen drejtues të qeverisë, deputetë dhe kryetarë bashkish, të cilët do të zbresin në terren për të prezantuar punën e bërë dhe për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.

28.03.2026. 16:35

“Punët e Shqipërisë” nga veriu në jug, Rama nxjerr ministrat e deputetët të dëgjojnë hallet e qytetarëve

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga mbledhja e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, ku kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar hapat e ardhshëm politikë.

Burime bëjnë me dije se Partia Socialiste po përgatitet të nisë një fushatë të gjerë komunikimi me qytetarët, e cila do të zhvillohet në të gjithë vendin nën sloganin “Punët e Shqipërisë”.

Në këtë nismë pritet të angazhohen drejtues të qeverisë, deputetë dhe kryetarë bashkish, të cilët do të zbresin në terren për të prezantuar punën e bërë dhe për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.

Ky tur pritet të zgjasë disa javë dhe do të kulmojë në mesin e qershorit, në një datë simbolike për socialistët, që përkon me përvjetorin e themelimit të forcës politike.

Në takim ka munguar zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Deri më tani nuk ka një shpjegim zyrtar për mungesën e saj, duke lënë vend për spekulime mbi arsyet e mospranisë në një mbledhje të rëndësishme politike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)