Shqipëria përkujton sot 81-vjetorin e Çlirimit. Ceremonitë zyrtare u zhvilluan në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku personalitetet më të larta të shtetit u përkulën me nderim para kujtimit të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.
Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, kryetarja e komanduar e Tiranës Anuela Ristani, si dhe veteranë të Luftës Antifashiste vendosën kurora me lule në Memorialin “Nëna Shqipëri”. Ceremonia u shoqërua me mesazhe mirënjohjeje dhe reflektimi për vlerat që rrjedhin nga sakrifica e dëshmorëve.
Presidenti Begaj theksoi se respekti ndaj të rënëve nuk duhet të mbetet vetëm një përkujtim historik, por “një detyrim i përditshëm për mbrojtjen e lirisë, dinjitetit dhe paqes”. Kreu i shtetit nënvizoi se liria e sotme qëndron mbi qëndresën dhe gjakun e atyre që luftuan kundër pushtimit fashist dhe nazist.
Edhe kryeministri Rama, i cilësoi festimet si një moment për reflektim dhe paqe, ndërsa uroi qytetarët për një fundjavë të qetë në këtë ditë simbolike.
Urimin e tij e dha edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili nga qelia kujtoi figurat e mëdha të Luftës Nacionalçlirimtare me respekt para patriotëve që luftuan, por edhe vuajtën pasojat e regjimit totalitar.
Shqipëria u çlirua nga pushtimi nazifashist në nëntorin e vitit 1944, pas pesë vitesh rezistence. Debati historik vijon ende lidhur me datën e saktë të largimit të trupave gjermane, çka bëri që politika t’i përkujtojë 28 dhe 29 nëntorin në mënyra të ndryshme. Por mesazhet e sotme nga të gjitha palët përqendroheshin në vlerat e lirisë, sakrificës dhe unitetit kombëtar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)