Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, zhvilloi sot një takim me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, si dhe me disa anëtarë të institucionit, ku u diskutua funksionimi dhe roli në sistemin e drejtësisë.
Gjatë takimit, ambasadori Bergner vuri në dukje rëndësinë thelbësore që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në garantimin e pavarësisë, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të prokurorive në vend. Ai shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin dhe punën e vazhdueshme të KLP-së, duke i inkurajuar anëtarët që të vijojnë ushtrimin e detyrave me përgjegjësi të plotë dhe vetëdije të lartë institucionale.
Një nga çështjet qendrore të diskutimit ishte procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, që do të pasojë Altin Dumanin në detyrë, në kushtet kur SPAK është duke hetuar një sërë zyrtarësh të lartë. Ambasadori theksoi rëndësinë që ky proces të jetë transparent dhe të udhëhiqet vetëm nga kriteret profesionale dhe integriteti i kandidatëve.
“Nën drejtimin e Altin Dumanit, SPAK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe krimit të organizuar. Është thelbësore që ky kurs të vazhdojë. Ne kemi besim se zgjedhja e ardhshme do të zhvillohet në mënyrë të hapur dhe se çdo anëtar i KLP-së do të mbështesë vendimin e tij mbi profesionalizmin dhe integritetin e pakontestueshëm të kandidatëve”, u shpreh ambasadori gjerman.
Kujtojmë se kreu i Strukturës së Posaçme do të zgjidhet më 11 dhjetor 2025, ora 09:00, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zhvillojë intervistat me kandidatët, sipas rendit alfabetik.
Katër kandidatët në garë për kreun e SPAK janë prokurorët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)