Prokuroria e Posaçme ka reaguar duke sqaruar se asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga kjo strukturë.
Në deklaratën zyrtare, SPAK thekson se nuk ka kryer dhe nuk kryen asnjë veprim hetimor që synon të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit, dhe as nuk ndërhyn në procese zgjedhore apo vendimmarrje të tjera të këtij institucioni.
Prokuroria e Posaçme vlerëson se deklarimet e përhapura në media janë spekulime të pambështetura ligjërisht dhe nuk reflektojnë praktikën e saj hetimore. Çdo informacion i pabazuar, sipas SPAK, përbën një përpjekje për keqinformim të publikut dhe dëmtim të besueshmërisë së Prokurorisë së Posaçme.
SPAK përfundon duke rikujtuar se qëllimi i saj mbetet hetimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vepruar gjithmonë brenda kuadrit ligjor dhe pa ndikim mbi vendimmarrjen e institucioneve të tjera.
Reagimi i SPAK
“Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:
1.Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
2.SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)