Mbeten në burg dy të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla

Ekzekutimi që tronditi Elbasanin/ Seanca për të arrestuarin e tretë, Nevzat Spaho, i dyshuar nga hetuesit si ekzekutori i biznesmenit, pritet të mbahet gjatë fundjavës.

05.12.2025. 13:46

Mbeten në burg dy të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy personat e akuzuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla. Vendimi u dha nga kryetarja e gjykatës, gjyqtarja Elis Dine, pas një seance të zhvilluar me dyer të mbyllura, e cila zgjati thuajse tre ore dhe u zhvillua nën masa të shtuara sigurie.

Në seancë, Prokuroria e Elbasanit, e përfaqësuar nga prokurori Gjergji Ceka, paraqiti kërkesën për “vleftësim arresti në flagrancë dhe caktim mase sigurimi” për dy të ndaluarit e parë, Xhino Ago dhe Kujtim Pisha. Kërkesa ishte regjistruar që prej ditës së enjte, ndërsa shqyrtimi i saj nisi në orën 10:00 të paradites së kësaj të premteje.

Paralelisht, Prokuroria ka depozituar një kërkesë të veçantë për masë sigurie ndaj të arrestuarit të tretë, Nevzat Spaho, i ndaluar në Prrenjas dhe i dyshuar nga hetuesit si ekzekutori i biznesmenit. Seanca për të pritet të mbahet gjatë fundjavës.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë vijojnë me intensitet, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar të gjithë rrethanat e organizimit dhe ekzekutimit të vrasjes. Priten zhvillime të tjera në ditët në vijim në dosjen që ka tronditur opinionin publik të Elbasanit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)