“Shqipëria e vendosur në përmbushjen e Kapitullit 24 dhe progresin në reforma”

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, konfirmoi angazhimin nw takimin me Komisionerin Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.

09.12.2025. 19:59

“Shqipëria e vendosur në përmbushjen e Kapitullit 24 dhe progresin në reforma”

Bruksel – Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim me Komisionerin Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, ku rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Kapitulli 24, si dhe për avancimin e reformave në fushën e rendit, sigurisë dhe migracionit.

Gjatë takimit, ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria po ecën me vullnet të qartë politik dhe vendosmëri drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke ndërmarrë hapa konkretë në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional. Ajo informoi Komisionerin Brunner për finalizimin e kuadrit të ri strategjik për sigurinë dhe migracionin, si dhe për operacionalizimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve në luftën kundër krimit të organizuar.

Koçiu vuri në dukje intensifikimin e hetimeve dhe operacioneve policore kundër trafikimit të emigrantëve, pastrimit të parave dhe gjurmimit të aseteve kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me EUROPOL, FRONTEX, INTERPOL dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Sipas të dhënave kombëtare dhe statistikave të Bashkimit Europian, u theksua edhe ulja e flukseve të migracionit të parregullt, si rezultat i masave të shtuara të kontrollit dhe bashkëpunimit operacional. Në përfundim, ministrja vlerësoi mbështetjen politike dhe teknike të Komisionit Europian, duke nënvizuar se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm dhe i angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Europës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)