Në Konferencën Kombëtare të Drejtësisë, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ngriti një alarm të fortë mbi gjendjen e sistemit gjyqësor në vend, duke theksuar se mirëqenia profesionale e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të kthehet në prioritet shtetëror.
Ai theksoi se tre shtyllat tradicionale të sistemit, kapacitetet institucionale, karriera dhe masat mbrojtëse, nuk mund të funksionojnë pa dimensionin e katërt, atë njerëzor.
“Mirëqenia e magjistratit nuk është një nocion teorik, por standard profesional që përfshin sigurinë personale, mbështetjen institucionale, ngarkesën e përballueshme dhe mirëqenien psikosociale. Vetëm në këto kushte magjistrati mund të jetë i pavarur dhe i qetë në ushtrimin e funksionit”, u shpreh Sadushi.
Ai kritikoi mungesën e politikave konkrete në këtë drejtim nga KLGJ dhe KLP. “Mirëqenia e magjistratit nuk është artikuluar si prioritet nga këshillat, prandaj nuk reflektohet as në politikat e ekzekutivit”, tha ai, duke shtuar se sistemi nuk ka programe për menaxhimin e stresit, parandalimin e lodhjes kronike apo mbështetjen pas ngjarjeve të rënda.
Sadushi në vijim paralajmëroi se ngarkesa e lartë e çështjeve është bërë e papërballueshme. “Një gjyqtar në disa gjykata përballon 900 deri në 1000 çështje. Ky ritëm është përtej kapaciteteve njerëzore dhe ka pasoja në cilësinë e drejtësisë”.
Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në dukje se infrastruktura gjyqësore dhe proceset e ngadalta të vlerësimit profesional po rëndojnë edhe më shumë sistemin. “Mjedisi i punës nuk është luks, është pjesë e integritetit profesional. Një sistem që vonon vlerësimin, vonon vetë drejtësinë”, theksoi Sadushi.
Duke iu referuar reagimit të fundit të gjyqtarëve mbi çështjen Balluku, çka solli përplasje në distancë me kryeministrin Edi Rama, Sadushi tha se “deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve ishte një sinjal alarmi”.
“Pikërisht në këtë klimë sfiduese, ku presioni mbi individin arriti kufijtë e tij të durimit profesional, erdhi reagimi i natyrshëm: Deklarata e Gjyqtarëve të Republikës. Për herë të parë pas shumë vitesh, gjyqtarët folën me një zë të përbashkët. Ata nuk kërkuan privilegje dhe as trajtim të veçantë; kërkuan siguri, mbështetje, dinjitet profesional dhe respekt institucional. Ishte një akt përgjegjshmërie, por edhe një sinjal alarmi. Sistemi po mbijeton falë nesh, por kështu nuk mund të vazhdojë. Kjo deklaratë shënoi një pikë kthese, sepse dëshmoi se struktura nuk mund të mbështetet më mbi sakrificën individuale të magjistratit”, nënvizoi ai.
“Roli i KLGJ-së dhe KLP-së është vendimtar. Ndërkohë, Kuvendi dhe Qeveria kanë detyrimin kushtetues të garantojnë infrastrukturën, sigurinë dhe burimet. Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane pa investuar te magjistrati”, shtoi Sadushi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)