Zyrtari i lartë amerikan vizitë në SPAK: Angazhim i përbashkët përballë krimit ndërkombëtar

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, zëvendësdrejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore, Lyn Debevoise, zhvilloi një takim me kryeprokurorin, Altin Dumani.

10.12.2025. 20:05

Zyrtari i lartë amerikan vizitë në SPAK: Angazhim i përbashkët përballë krimit ndërkombëtar

Zëvendësdrejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore, Lyn Debevoise, zhvilloi një takim me kryeprokurorin e SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në një deklaratë të Ambasadas amerikane në Tiranë, u theksua se përpjekjet e Dumanit për krijimin e një standardi të fortë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë një model për të ardhmen, dhe se ky angazhim do të vijojë edhe pasardhësit të tij.

"Përpjekjet e z. Dumani vendosën një standard për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij", theksohet në njoftimin e ambasadës.

Angazhimi i SHBA-së dhe mbështetjeja për SPAK-un janë konsideruar si hapa të rëndësishëm në përpjekjet për të pastruar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe për të siguruar një klimë më të sigurt për qytetarët dhe investitorët.

Njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA-ve:

Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë. Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)