Zgjidhet sot drejtuesi i ri i SPAK, kandidatët prezantojnë platformat

Pasi zgjodhi kreun e BKH, KLP është mbledhur për të caktuar drejtuesin e ri të SPAK, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit. Në garë janë 4 kandidatë, të cilët kanë nisur prezantimin e platformave. Në mbledhje janë të pranishëm dhe përfaqësues të trupës diplomatike.

11.12.2025. 11:08 >> 15:30

Zgjidhet sot drejtuesi i ri i SPAK, kandidatët prezantojnë platformat

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur mëngjesin e sotëm për të zgjedhur drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, i cili do të zëvendësojë në këtë detyrë Altin Dumanin.

Në garë për drejtimin e kësaj struktura kaq të rëndësishme për luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe krimit të organizuar, janë 4 kandidatë Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi.

Një nga këta prokurorë do të zgjidhet në krye të SPAK për një mandat 3 vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Fituesit do t’i duhet të ketë një votë më shumë pa pasur nevojë për një votim të cilësuar.

Në lidhje me këtë mbledhje KLP ka njoftuar se interesi për të është shumë i lartë, teksa të pranishëm janë dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Një ditë më parë, ambasadorë të ndryshëm vlerësuan punën e Altin Dumanit në luftën kundër krimit të organizuar dhe goditjes së pandëshkueshmërisë, duke uruar që e njëjta gjë të vijojë dhe me pas ardhësin e tij.

Më 9 dhjetor, KLP zgjodhi edhe drejtorin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, i cili pason në detyrë Aida Hajnajn.

09:24- Zgjedhja e kreut të SPAK, Adnan Xholi prezanton platformën: Kam eksperiencën e duhur

Foto: LSA

Kandidatët për drejtimin e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion kanë nisur prezantimin e platformës së tyre para KLP, përpara votimit që do të zgjedhë dhe kreun e ri të SPAK.

I pari që bëri një rezyme ishte kandidati Adnan Xholi, i cili tha se ka një karrierë 27 vjeçare si prokuror dhe se plotëson të gjitha kushtet për të drejtuar këtë institucion të rëndësishëm të drejtësisë.

Xholi premtoi se do të mbështesë kolegët e tij prokurorë në çdo moment në luftën kundër krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë.

“Kam aftësi për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë.  SPAK ndodhet në një fazë të rëndësishme. Është i rëndësishme mbrojtja e integritetit të institucionit. Presion është ushtruar ndaj prokurorëve. Të gjithë janë kandidatë për ta drejtuar këtë strukturë për shkak të rezultateve të arritura. Jam krenar që punoj me ta dhe do t’i mbështes në çdo kohë. Krahas sukseseve, ka ardhur koha të vijohet me hetime me kohë të shpejtë për të goditur aktivitetin kriminal.

Duhen konfiskuar asetet e krimit për të promovuar barazinë para ligjit për qytetarët.

Prokurorët janë të pavarur, drejtuesi është menaxher, i cili ka detyrimin të sigurojë kushtet e nevojshme të punës, për të goditur paligjshmërinë. Kam 27 vite eksperiencë. Karriera ime ka një ngritje të vazhdueshme. Kam udhëhequr disa hetime kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Xholi.

09:44- T’i japim zgjidhje statusit të prokurorëve, Xholi: Nuk mund të hidhet eksperienca në rrugë

Foto: Newsmax Balkans

Gjatë prezantimit të platformës, kandidati Adnan Xholi premtoi dhe angazhimin e tij për zgjidhjen e statusit të prokurorit, të cilët sipas tij nuk mund të hidhen në rrugë pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar.

Xholi po ashtu kërkoi një shtim të numrit të prokurorëve, me qëllim që të shmanget zvarritja e çështjeve.

“T’i japim zgjidhe statusit të prokurorëve, por deri tani ka ngelur në vesh të shurdhër. Do insistoj bashkë me ju si qeverisje e prokurorëve, që statusi i prokurorit të SPAK të marrë zgjidhje, nuk e them për veten time, kthehem në prokurorinë e përgjithshme, por bëhet fjalë për kolegë të tjerë që vijnë nga prokuroritë e shkallëve të para, disa prokurori janë të shkrira. Nuk ka prokurorë të pazëvendësueshëm, por eksperienca që këta prokurorë kanë fituar do humbasë.

Këto prokurorë janë përballur me grupet më të rrezikshme kriminale dhe çdo lihen në mëshirë të fatit në këto zyra që do shkojnë, do humbasë ekspertiza, memoria e institucionit, për çështje që nuk varen nga ne, por jemi në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe zgjasin me muaj e me vite. Kushdo që të vijë e ka të pamundur të shohë se çfarë bëhet në ato doje, jo të përfaqësojë në gjykim. Do kërkoj shtimin e numrit të prokurorëve të posaçëm.  Të mos jemi para standardeve të drejtësisë së mohuar, do duhet të shtohet numri i prokurorëve”, tha Xholi.

10: 50 - “S’ka guxuar asnjë zyrtar i lartë t’i bjerë telefonit tim”, Xholi: Nuk e kam problem të kërkoj burg përjetë

Foto: Newsmax Balkans

Gjatë seancës dëgjimore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kandidati për drejtues të SPAK, Adnan Xholi, foli hapur për sfidat më të vështira të karrierës së tij, duke u ndalur te momentet kur ka kërkuar shkarkimin e magjistratëve.

I pyetur nga anëtarët e KLP-së se si ndihet kur kërkon largimin nga detyra të kolegëve, Xholi e cilësoi këtë si pjesën më të rëndë të profesionit.

“Kjo është ndër pyetjet më të vështira dhe më të sikletshme. Ne kërkojmë edhe burgime të përjetshme dhe nuk kam problem, por kur vjen puna të kërkoj shkarkimin e kolegëve që e di si janë përballur me kriminelë dhe zyrtarë të lartë, kjo më dhemb”, u shpreh ai.

Xholi shtoi se, pavarësisht bindjes që shkeljet e konstatuara justifikonin masat e marra, situata ishte e rëndë për ndërgjegjen e tij. “Nuk jam krenar për ato kërkesa. Ata kanë dhënë kontribut të madh. T’i nxjerrësh në rrugë, të pambrojtur përballë grupeve kriminale, kjo është brenga që mbaj”, theksoi kandidati për kreun e SPAK.

Gjatë seancës, Xholi u pyet edhe se si do të vepronte në rast se një zyrtar i lartë do të tentonte t’i kërkonte ndërhyrje në hetim.  “Nuk më ka ndodhur në karrierën time që një zyrtar i lartë të guxojë të më marrë në telefon”, theksoi ai.

Më tej shtoi se çdo tentativë ndikimi është e parashikuar nga ligji. “Nëse ndodh që të ketë përpjekje për ndikim të paligjshëm, ka një ligj që e ndalon këtë. Çdo zyrtar e ka të pamundur të ndryshojë vendimmarrjen e prokurorit”, u shpreh Xholi.

Më tej, kandidati për kreun e SPAK dha edhe vlerësimin e tij për dy drejtuesit e deritanishëm të strukturës, Arben Kraja dhe Altin Dumani.

“Te zoti Arben Kraja do të vlerësoja pjekurinë dhe eksperiencën disa vjeçare në hetim. Te Dumani do të vlerësoja përkushtimin dhe rolin e tij luftarak që nuk tërhiqet përballë asnjë presioni. Këto do të më ndihmojnë nëse do të marrë pëlqimin tuaj”, deklaroi ai.

Lidhur me vizionin e tij për drejtimin e SPAK, Xholi tha se fokusi kryesor do të jetë siguria e provave përpara marrjes së masave të arrestit. “Ajo që kam pikë të dobët është mbledhja e provave para arrestimit, prova të pacenueshme në gjykatë. Unë nuk fus njerëz në burg pa prova, ky është parimi që unë do ta vazhdoj sa të jem në këtë profesion”, nënvizoi ai.

11:30 - Gruaja e vetme në garë, Musabelliu: Përvoja ime dy dekadëshe garanci për drejtimin e SPAK

Foto: LSA

E vetmja grua në garë për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu është e dyta në radhë pas Adnan Xholit, që po prezanton para trupës së KLP-së platformën e saj për drejtimin e strukturës.

Gjatë prezantimit, Musabelliu vendosi theksin tek lufta e saj me krimin e organizuar. Ajo bëri me dije se ka pasur në dorë disa çështje të rëndësishme për hetimin e trafikut të lëndëve narkotike, siç është edhe transportimi me avion i drogës nga Divjaka drejt Italisë.

Sipas saj përvoja 20 vjeçare në sistemin e drejtësisë është garancia që ajo ofron për drejtimin e SPAK me integritet dhe e pandikuar nga faktorët e jashtëm.

“Kam përfunduar studimet ne 2002 dhe menjëherë më pas në Magjistraturë. Në 2005 jam emëruar tek Krimet e Rënda. Nga 2004-2019 kam qenë tek Prokuroria e Krimeve të Rënda e më pas në SPAK. Të dy këto prokurori kanë përfaqësuar momente të rëndësishme në forcimin e shtetit të së drejtës. Që në vitin 2004 jam marrë me krimet e rënda dhe grupe të strukturuara kriminale. Pavarësisht vështirësive, kam vijuar me këmbëngulje në detyrat e mia duke kontribuar në rezultate konkrete. Motivimi për të kandiduar është nga ndjenja e përgjegjësisë për të kontribuar me integritet në drejtimin e SPAK. Çmoj se plotësoj kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj. Me një eksperiencë 21-vjeçare, jam e bindur se përvoja profesionale e njerëzore përgjatë dy dekadave, përbëjnë garanci për drejtimin e suksesshëm të institucionit. Ky moment kërkon drejtim që bashkon qartësinë dhe vizonin. Me këtë kandidim synoj të ofroj drejtim të pavarur duke pasqyruar parimet më të larta të shtetit të së drejtës. Sfidat e përballura ndër vite janë shndërruar në përvojë pune duke më pajisur me pavarësi profesionale. Kam vijuar me këmbëngulje të kryej detyrat e mia. Përvoja 21-vjeçare si prokurore më ka bërë për të ecur përpara me një qasje të guximshme. Drejtimi i këtij institucioni kërkon njohje në rrënjë të sistemit dhe përvojën për të vendosur me vendosmëri. Në lidhje me planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë së Posaçme, jam e vetëdijshme për rëndësinë dhe për këtë mbetet thelbësore fryma që përcjell. Transparenca dhe llogaridhënia janë dy shtyllat kryesore të vizionit tim. Synimi im është që standardet jo vetëm të ruhen por të forcohen më tej”, tha Musabelliu.

13:00 - “Nuk pranoj të zgjidhem me kushte”, Gokaj tregon katër shtyllat e programit për drejtimin e SPAK

Foto: LSA

Elvin Gokaj është i treti në radhë nga kandidatët që synojnë të marrin drejtimin e SPAK, i cili paraqiti vizionin dhe prioritetet e tij para trupës së KLP-së, në mbledhjen që ka nisur prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm.

Ashtu si paarardhësit ai ka vendosur theksin tek përvoja dhe eksperienca në sistemin e drejtësisë, si faktori kryesor që e shtyn të jetë i gatshëm që të drejtojë institucionin më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kam eksperiencë 26-vjeçare në sistemin e drejtësisë. SPAK duhet të mbetet institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrugëtimi im ka nisur në vitin 1999. Kam hetuar çështje të zyrtarëve të lartë publik. Kam hetuar çështje me rrezikshmëri të lartë. Ngritjen e akuzës e kam bazuar vetëm në prova dhe duke kërkuar masa në proporcionalitet me objektin e hetimit. Unë mendoj se praktikat më të mira të punës është puna në grup. Bashkëpunimi im do të bazohet në grup. Drejtuesi duhet t’i rrijë në mbështetje prokurorëve, por pa ushtruar ndikim mbi ta”, u shpreh ai.

Gokaj paraqiti edhe shtyllat kryesore të vizionit të tij për drejtimin e SPAK duke thënë se lufta e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe konsolidimi i institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore do të jenë pikat kyçe ku do të fokusohet.

Më tej prokurori i posaçëm nënvizoi se SPAK ka nevojë të forcojë edhe më tepër bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të rrisë besimin e publikut tek drejtësia.

Ai nënvizoi se pikat e tij të forta janë “puna, integriteti dhe mirënjohja ndaj njerëzve” që punon dhe derdhin djersën për këtë vend”.  “Ndërsa pika e dobët janë pak programet kompjuterike që kanë avancuar këto kohët e fundit por që me ndihmën e ekspertëve në strukturë do ta kalojmë këtë fazë”, shtoi kandidati për kreun e SPAK.

I pyetur nga anëtarja e KLP-së, Arta Mandro sa i ndikueshëm nëse ajo do t’i shkonte në zyrë dhe do t’i premtonte votën në këmbim të mbështetjes për një çështje, Gokaj u përgjigj: “Nëse kjo votë që më jepet kjo nga ana juaj me kusht, unë nuk do ta pranoja. Nëse lind një problem pas kësaj vote do të prishemi me shumë mirësjellje dhe do mundohesha që të të bindja që nuk ke të drejtë për ndërhyrjen që bën për të shkelur ligjin”.

14:15 - “Askush mbi ligjin”, Braho: SPAK ka nevojë për krjimin e sektorit të analizës së informacionit

Foto: LSA

Kandidati i katërt për drejtimin e SPAK, prokurori Klodian Braho, paraqiti sot platformën e tij në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku theksoi prioritetet, vizionin dhe përvojën e tij në sistemin e drejtësisë.

Në prezantimin e tij, Braho u ndal te organizimi i institucionit dhe respektimi i strategjive aktuale të SPAK. “Nëse do të jem drejtues, do të marr masat për ndjekjen e strategjive aktuale. Do të garantoj zbatimin e parimit të barazisë dhe do të mbroj pavarësinë e prokurorëve të posaçëm”, u shpreh ai.

Braho theksoi se vendimet e prokurorëve duhet të reflektojnë qëndrimin e institucionit, jo të individëve. “Vendimet e prokurorëve nuk janë personale, por janë qëndrime të institucionit.”

Ai shtoi se, në raste ngarkese, do të krijohen grupe hetimore për rritjen e eficiencës së hetimeve. Një nga pikat kyçe të platformës së tij ishte ngritja e një strukture të re për analizimin e të dhënave.

“SPAK, për shkak të volumit të lartë të çështjeve komplekse, ka nevojë për krijimin e një sektori të veçantë të analizës së informacionit. Ky sektor do të grumbullojë të dhënat që vijnë nga partnerët dhe do të prodhojë raporte periodike që ndihmojnë prokurorët në orientimin e hetimeve”, deklaroi Braho.

Sipas tij, kjo strukturë duhet të përshtatet me modelet e vendeve të tjera dhe do t’i japë SPAK-ut më shumë kapacitet për të trajtuar hetime komplekse.

Braho prezantoi edhe karrierën e tij profesionale, duke theksuar përvojën në disa prokurori të vendit dhe rolin e tij në SPAK që prej ditës së themelimit.

“Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë. Kam ushtruar funksionin e prokurorit në Berat, Vlorë, Krimet e Rënda dhe aktualisht në SPAK, ku drejtoj seksionin kundër korrupsionit. Gjatë veprimtarisë sime kam hetuar funksionarë nga niveli bazik deri në ministër”, tha ai.

Ai solli në vëmendje edhe rezultatet konkrete në çështje madhore të konfiskimit të pasurive kriminale. “Në vitin 2023 janë konfiskuar me kërkesën time 18.4 milionë euro, shumë kjo sa dyfishi i buxhetit vjetor të SPAK.”

Braho po ashtu zbuloi edhe se çfarë do të merrte dhe nuk do të merrte nga dy drejtuesit e parë të SPAK, Arben Kraja dhe Altin Dumani.

“Nga zoti Dumani do merrja proaktivitetin dhe vendosmërinë, sigurisht edhe nga zoti Kraja do merrja, atë që shpjegova pak më shumë si pjesë pozitive të tij, qetësinë në kryerjen e detyrës. Nuk është se kam konstatuar prej tyre... se jam në një pozitë tani ku po më kërkoni të përgjigjem për dy drejtues të institucionit. Mendoj se pak a shumë kanë ushtruar të dy të njëjtën detyrë, por institucioni nuk ka qenë i njëjti. Mendoj për zotin Kraja se institucioni mund të ishte më aktiv në atë periudhë edhe pse çështjet duan kohën e tyre, se duhet thënë se a 3 vite nuk ishin, sa u krijua, sa nisën hetimet”, u shpreh ai.

Në mbyllje të prezantimit, Braho u zotua për një drejtim të paanshëm, efikas dhe të bazuar në ligj. “Sa i përket ndjekjes penale, do të garantoj zbatimin e ligjit. Askush nuk do të jetë mbi ligjin. Vizioni im përfshin organizimin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme”, theksoi ai.

15:00 - A ka “Republikë Prokurorësh” në Shqipëri? Ja si përgjigjet kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho

Foto: LSA

Gjatë prezantimit të platformës së tij për drejtimin e SPAK, Klodian Braho u pyet për termin “Republikë Prokurorësh” që është përmendur shpesh në diskursin publik, kryesisht në akuzat që hidhen në drejtim të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas kandidatit për kreun e SPAK nuk ka një Republikë Prokurorësh në Shqipëri dhe gjithë mënyra si sistemi funksionon dhe vendos drejtësinë është i rregulluar përmes ligjeve.

“Termi ‘Republikë e Prokuroreve’ s’më shkon dhe nuk e njoh këtë term. Nuk besoj se ka Republikë të Prokurorëve në Shqipëri. Ata e kanë për detyrë që të Kodin e Procedurës Penale, dhe e vlerëson gjykata nëse e kanë bërë apo jo. Nuk ka term të tillë. Nëse vendimi i gjykatave nuk na përshtatet, atëherë shohim rrugën ligjore. Nëse gjykatat e mendojnë të gjitha këtë gjë, atëherë ka në problem me mënyrën se si njerëzit e konceptojnë të drejtën”, tha Braho.

I pyetur në vijim për ndërhyrjet që mund të ketë në punën e tij nga njerëz të politikës apo botës së krimit, ai tha se nuk ndikohet dhe madje nuk nguron që akuzën t’ia komunojë vetë kujtdo që ndodhet në bankën e të akuzuarve.

“Unë nuk e kam problem të përballem me ankesa dhe pretendime, madje në çështjet që kam, akuzën ia kam njoftuar vetë, me qëllim që edhe ti dëgjoj pretendimet e tyre. Mund të dëgjoj dhe mund të pres zyrtarë, por zgjidhja është ajo që parashikon ligji. E ndjej veten të plotësuar si prokuror dhe mendoj se është normale një sfidë tjetër”, theksoi Braho.

Më tej ai këmbënguli se sfida kryesore që do të duhet të adresojë nëse ulet në karrigen e drejtuesit të SPAK është maturimi i institucionit, që në procesin e ardhshëm të zgjedhjes së kreut të strukturës të mos merremi me emra të përveçëm prokurorësh.

“Sfida është që institucioni i SPAK të maturohet dhe të kalojë në pikën e pakthyeshme mbrapa. Të jetë institucioni që t’i imponojë njerëzve standard. Kjo realizohet dujke ruajtur pavarësinë e institucionit, pavarësinë e prokurorëve dhe duke u rritur dhe maturuar me standarde më të mira”, tha ai, duke shtuar: “Nuk e mendoj që hetimi i një çështje sjell problem në stabilitetin e një vendi. Pra nëse do kishte një stabiliteti i vendit nuk komentohet me këshilla apo vendime. Në çështjet që kam patur nuk e kam ndjerë ndonjëherë këtë gjë. Një vepër penale nuk mund të mbulohet me asnjë arsyetim tjetër”, deklaroi Braho.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)