Ashtu si paarardhësit ai ka vendosur theksin tek përvoja dhe eksperienca në sistemin e drejtësisë, si faktori kryesor që e shtyn të jetë i gatshëm që të drejtojë institucionin më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kam eksperiencë 26-vjeçare në sistemin e drejtësisë. SPAK duhet të mbetet institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrugëtimi im ka nisur në vitin 1999. Kam hetuar çështje të zyrtarëve të lartë publik. Kam hetuar çështje me rrezikshmëri të lartë. Ngritjen e akuzës e kam bazuar vetëm në prova dhe duke kërkuar masa në proporcionalitet me objektin e hetimit. Unë mendoj se praktikat më të mira të punës është puna në grup. Bashkëpunimi im do të bazohet në grup. Drejtuesi duhet t’i rrijë në mbështetje prokurorëve, por pa ushtruar ndikim mbi ta”, u shpreh ai.
Gokaj paraqiti edhe shtyllat kryesore të vizionit të tij për drejtimin e SPAK duke thënë se lufta e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe konsolidimi i institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore do të jenë pikat kyçe ku do të fokusohet.
Më tej prokurori i posaçëm nënvizoi se SPAK ka nevojë të forcojë edhe më tepër bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të rrisë besimin e publikut tek drejtësia.
Ai nënvizoi se pikat e tij të forta janë “puna, integriteti dhe mirënjohja ndaj njerëzve që punoj dhe derdhin djersën për këtë vend”. “Ndërsa pika e dobët janë pak programet kompjuterike që kanë avancuar këto kohët e fundit por që me ndihmën e ekspertëve në strukturë do ta kalojmë këtë fazë”, shtoi kandidati për kreun e SPAK.
I pyetur nga anëtarja e KLP-së, Arta Mandro sa i ndikueshëm nëse ajo do t’i shkonte në zyrë dhe do t’i premtonte votën në këmbim të mbështetjes për një çështje, Gokaj u përgjigj: “Nëse kjo votë që më jepet kjo nga ana juaj me kusht, unë nuk do ta pranoja. Nëse lind një problem pas kësaj vote do të prishemi me shumë mirësjellje dhe do mundohesha që të të bindja që nuk ke të drejtë për ndërhyrjen që bën për të shkelur ligjin”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)