Kandidati i katërt për drejtimin e SPAK, prokurori Klodian Braho, paraqiti sot platformën e tij në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku theksoi prioritetet, vizionin dhe përvojën e tij në sistemin e drejtësisë.
Në prezantimin e tij, Braho u ndal te organizimi i institucionit dhe respektimi i strategjive aktuale të SPAK. “Nëse do të jem drejtues, do të marr masat për ndjekjen e strategjive aktuale. Do të garantoj zbatimin e parimit të barazisë dhe do të mbroj pavarësinë e prokurorëve të posaçëm”, u shpreh ai.
Braho theksoi se vendimet e prokurorëve duhet të reflektojnë qëndrimin e institucionit, jo të individëve. “Vendimet e prokurorëve nuk janë personale, por janë qëndrime të institucionit.”
Ai shtoi se, në raste ngarkese, do të krijohen grupe hetimore për rritjen e eficiencës së hetimeve. Një nga pikat kyçe të platformës së tij ishte ngritja e një strukture të re për analizimin e të dhënave.
“SPAK, për shkak të volumit të lartë të çështjeve komplekse, ka nevojë për krijimin e një sektori të veçantë të analizës së informacionit. Ky sektor do të grumbullojë të dhënat që vijnë nga partnerët dhe do të prodhojë raporte periodike që ndihmojnë prokurorët në orientimin e hetimeve”, deklaroi Braho.
Sipas tij, kjo strukturë duhet të përshtatet me modelet e vendeve të tjera dhe do t’i japë SPAK-ut më shumë kapacitet për të trajtuar hetime komplekse.
Braho prezantoi edhe karrierën e tij profesionale, duke theksuar përvojën në disa prokurori të vendit dhe rolin e tij në SPAK që prej ditës së themelimit.
“Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë. Kam ushtruar funksionin e prokurorit në Berat, Vlorë, Krimet e Rënda dhe aktualisht në SPAK, ku drejtoj seksionin kundër korrupsionit. Gjatë veprimtarisë sime kam hetuar funksionarë nga niveli bazik deri në ministër”, tha ai.
Ai solli në vëmendje edhe rezultatet konkrete në çështje madhore të konfiskimit të pasurive kriminale. “Në vitin 2023 janë konfiskuar me kërkesën time 18.4 milionë euro, shumë kjo sa dyfishi i buxhetit vjetor të SPAK.”
Braho po ashtu zbuloi edhe se çfarë do të merrte dhe nuk do të merrte nga dy drejtuesit e parë të SPAK, Arben Kraja dhe Altin Dumani.
“Nga zoti Dumani do merrja proaktivitetin dhe vendosmërinë, sigurisht edhe nga zoti Kraja do merrja, atë që shpjegova pak më shumë si pjesë pozitive të tij, qetësinë në kryerjen e detyrës. Nuk është se kam konstatuar prej tyre... se jam në një pozitë tani ku po më kërkoni të përgjigjem për dy drejtues të institucionit. Mendoj se pak a shumë kanë ushtruar të dy të njëjtën detyrë, por institucioni nuk ka qenë i njëjti. Mendoj për zotin Kraja se institucioni mund të ishte më aktiv në atë periudhë edhe pse çështjet duan kohën e tyre, se duhet thënë se a 3 vite nuk ishin, sa u krijua, sa nisën hetimet”, u shpreh ai.
Në mbyllje të prezantimit, Braho u zotua për një drejtim të paanshëm, efikas dhe të bazuar në ligj. “Sa i përket ndjekjes penale, do të garantoj zbatimin e ligjit. Askush nuk do të jetë mbi ligjin. Vizioni im përfshin organizimin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme”, theksoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)