42 mijë të rinj të punësuar në 5 vite, Rama: Ata që thonë se s’ka punë, nuk duan të punojnë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinj të punësuar nga programet e nxitjes së punësimit, ku deklaroi se këto nisma janë dëshmi se Shqipëria ofron mundësi për të gjithë të rinjtë që duan vërtetë të punojnë, e të ndërtojnë një rrugë profesionale.

12.12.2025. 14:17

42 mijë të rinj të punësuar në 5 vite, Rama: Ata që thonë se s’ka punë, nuk duan të punojnë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë e punësuar përmes programeve të stimuluara nga qeveria për nxitjen e punësimit, ku ndau të dhëna dhe rezultate që, sipas tij, tregojnë progresin e Shqipërisë në mbështetjen e të rinjve që kërkojnë punë.

Rama deklaroi se Shqipëria renditet e para në rajon për shërbimet e punësimit, sipas OECD-së, duke theksuar se kjo është një arritje e rëndësishme e viteve të fundit.

“Shqipëria, sipas OECD, është vendi që zë vendin e parë në rajon për shërbimet e punësimit. Kjo flet qartë që puna që kemi bërë për të ndërtuar një skemë të tillë shërbimesh na ka dhënë një rezultat inkurajues”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit, aktualisht funksionojnë 7 programe të ndryshme të nxitjes së punësimit, nga praktikat profesionale tek vetëpunësimi dhe riintegrimi social. Në pesë vitet e fundit, tha ai, 42 mijë të rinj janë punësuar përmes zyrave të punës, ndërsa 7,500 prej tyre kanë përfituar drejtpërdrejt nga programet.

Janë 2200 djem dhe vajza që po përfitojnë nga garancia rinore, ndërsa objektivi ynë është që 60 mijë të mbështeten brenda këtij mandati.”

Kreu i qeverisë foli gjithashtu për rritjen e interesit të të rinjve për arsimin profesional, duke e cilësuar këtë si një zhvillim domethënës për tregun e punës. Gjatë takimit, Rama nuk kurseu as batutat. “Kush thotë se s’ka punë, nuk do të punojë. Vetëm në portal ka punë të çdo kategorie”, theksoi ai.

Mes të qeshurash, shtoi: “Ky këtu që kemi me duart në xhep si spiun bën mrekulli, por s’di të gatuajë.”

Sipas tij, mundësitë për të pasur sukses në Shqipëri janë konkrete për këdo që dëshiron të punojë. Sa i përket pagave, Rama u shpreh se është bërë progres, por synimet janë më të mëdha.

Nga janari do ta çojmë pagën minimale në 500 euro. Ne duam punësim më cilësor dhe paga më të larta, që vijnë nga profesionalizmi. Kush realisht do punë dhe sukses në këtë vend, mund t’ia dalë. Jashtë këtij vendi do të duhen shumë më tepër vite, sakrifica dhe shanset janë më të vogla”, theksoi kreu i ekzekutivit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)