Reshjet intensive të borës kanë sjellë vështirësi të shumta në disa zona të Qarkut Dibër, duke krijuar probleme në furnizimin me energji elektrike dhe në qarkullimin rrugor.
Situata paraqitet më e rënduar në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr, ku trashësia e borës ka kaluar 40 centimetra.
Bashkia Dibër ka angazhuar mjetet dhe forcat e saj për hapjen e akseve rrugore drejt zonave rurale, por për shkak të reshjeve të dendura, puna po vijon me vështirësi.
Në qytetin e Peshkopisë, bora ka arritur rreth 20 centimetra, ndërsa qarkullimi në disa segmente rrugore mbetet problematik.
Aksi Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me përdorimin e zinxhirëve dhe me vështirësi të theksuara, ndërsa rruga Ura e Çerenecit–Librazhd është aktualisht e bllokuar, megjithëse po punohet për hapjen e saj.
Ndryshe paraqitet situata në aksin Peshkopi–Tiranë, i cili është i kalueshëm pa nevojën e zinxhirëve. Autoritetet lokale bëjnë me dije se në të gjithë qarkun po vijon puna për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit, veçanërisht në zonat rurale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)