QSUT 40 minuta pa energji, shefi i Reanimacionit: Nuk u rrezikua asnjë nga pacientët e intubuar

Shefi i shërbimit të anestezi- reanimacionit në QSUT, Krenar Lilaj, në një dalje për mediat ka sqaruar situatën e mbrëmshme ku në spitalin më të madh të vendit, u shkëput energjia elektrike për të paktën 40 minuta. Sipas tij asnjë pacienti nuk i është rrezikuar jeta prej kësaj situate.

20.01.2026. 13:18

QSUT 40 minuta pa energji, shefi i Reanimacionit: Nuk u rrezikua asnjë nga pacientët e intubuar

Një black-out i energjisë elektrike paralizoi mbrëmjen e djeshme pjesën më të madhe të Tiranës. Shkëputjes së energjisë në kryeqytet nuk i shpëtoi as Qendra Spitalore Universitare, ku përreth 40 minuta funksioni pa rrymë.

Në rrjet qarkulluan pamje me pacientë të shtruar në Urgjencën dhe repartin e Reanimacionit të QSUT-së që zhvendoseshin në kate të tjera, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mosfunksionimin e gjeneratorëve në spitalin më të madh në vend.

Lidhur me situatën kaotike, ka folur për mediat shefi i shërbimit të anestezi- reanimacionit në QSUT, profesor Krenar Lilaj, i cili sqaroi se shkëputja e energjisë elektrike “nuk cenoi kujdesin ndaj pacientëve”.

Lilaj tha se asnjë pacienti të intubuar nuk iu rrezikua jeta, pasi stafi mjekësor ndërhyri në kohë duke i transferuar në një pavion tjetër.

Sa i përket vdekjes Mihal Mërkurit, mjeku shpjegoi se ngjarja në fjalë nuk ka lidhje me shkëputjen e energjisë elektrike, por se i dënuari ndërroi jetë pasi ndodhej në gjendje të rëndë me hemorragji.

“Detyra ime si mjek është të mbroj jetën e të sëmurëve dhe e stafit që unë drejtoj. Në çdo situatë ne jemi në mbrojte të pacientëve. Sa i përket vdekjes së një të dënuari, gjendja e tij ishte e rëndë. Gjendja e tij ishte e rëndë. Jo vetëm natën e mbrëmshme, por e rëndë që në ardhje, ditën që u shtrua që t’i nënshtrohej një intervenimi kirurgjikal. Të gjitha të dhënat janë të argumentuara në kartelën e të sëmurit. Ai vuante nga ceroza. U trajtua kirurgjikalisht. Saktësisht i sëmuri u nda nga jeta në orën 04:33 minuta. Ndërkohë që furnizimi me energji u rikthye në orën 21:42. Pajisjet back-up konsumohen. Në kushtet kur ke 9 të sëmurë që i ke në trajtim me ventilacion mekanik, edhe shkëputja elektrike ndodh në një moment të caktuar, vendimi që morën për transferimin e tyre ishte për të shmangur rënien e njëkohshme të funksionimit të këtyre pajisjeve, që do të shkaktonte probleme në transportin e pacientëve në mënyrë të njëkohshme. Nuk mund ta them se sa është koha që këto pajisje funksionojnë, por mbajnë për 4-5 orë. Incidente të tilla me shkëputje energjie rëndon shumë vite më parë. Një ngjarje e ngjashme ndodhi dhe përpara 1-2 vitesh, e cila u kalua me sukses nga ana jonë. Ashtu si edhe mbrëmjen e kaluar ku fakti që ne nuk patëm asnjë humbje jete në një situatë të tillë na bën që meritojmë diçka më shumë nga ju gazetarët në radhë të parë, pasi kjo tregon se shërbimi ynë është i gatshëm në situata të tilla. Ne kemi masa sigurie për të mbajtur në jetë të sëmurët, edhe nëse ndodh që ikin dritat gjatë operacionit”, tha Lilaj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)