“21 Janari”, familjarët e viktimave me sytë nga SPAK, Mark Nika: Nuk duam hakmarrje, por drejtësi

Xhaxhai i Aleks Nikës, një nga protestuesit e vrarë në demonstratën e 21 janarit, në 15-vjetorin e kësaj ngjarje u shpreh se thirrja për drejtësi vazhdon dhe kërkoi nga SPAK që t'i japë drejtim hetimeve, duke zbuluar përgjegjësit për 4 protestuesit e vrarë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

21.01.2026. 11:12

“21 Janari”, familjarët e viktimave me sytë nga SPAK, Mark Nika: Nuk duam hakmarrje, por drejtësi

Në 15-vjetorin e ngjarjeve të 21 janarit, ku humbën jetën katër qytetarë gjatë protestës së thirrur nga opozita e asaj kohe, familjarët e viktimave u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kryer homazhe në nder të të ndjerëve.

Mes tyre ishte edhe Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i cili humbi jetën në moshë të re gjatë protestës. Në një prononcim për mediat, ai theksoi se familjarët vijojnë të presin drejtësi edhe pas 15 vitesh dhe shprehu besimin te organet e reja të drejtësisë.

“Unë kam ardhur këtu, si çdo vit, për shpirtin e Aleksit, nipit tim, ashtu si edhe familjarët e tjerë të viktimave. Kjo është një plagë që nuk mbyllet pa drejtësi”, u shpreh Mark Nika.

Ai theksoi se familjet e viktimave nuk kërkojnë hakmarrje, por zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e përgjegjësisë ligjore.

“Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Përgjegjësia nuk mund të harrohet”, tha ai, duke shtuar se shpresa e familjarëve mbetet te SPAK dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Mark Nika u shpreh gjithashtu se pret mbështetje edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Shpresoj që ambasadorët e vendeve aleate të na dëgjojnë. Ata na kanë premtuar se do të na mbështesin në thirrjen tonë për drejtësi”, deklaroi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)