Blerina Gjylameti do të jetë drejtoresha e re e Autoritet Kombëtar të Ushqimit.
Ish-deputetja socialiste, e cila për një grusht votash mbeti jashtë Kuvendit pas zgjedhjeve të 11 majit, do të drejtojë në vijim institucionin, që shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes.
Para saj, AKU-në e drejtoi që nga marsi i vitit 2025, Manush Kullolli.
Kujtojmë se vetëm pesë ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama shigjetoi AKU-në, duke thënë se Shqipëria aktualisht është ngelëse për BE-në drejtimin e sigurisë ushqimore.
Vendi ynë sipas Ramës nuk përmbush standardet minimale të Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye, qeveria shqiptare po negocion një fazë të ndërmjetme pas anëtarësimit.
“Në kushtet e sotme, ne jemi të paintegrueshëm në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore. Po kërkojmë një fazë të ndërmjetme 5-vjeçare pas anëtarësimit, për t’i dhënë kohë vendit të përmbushë kriteret”, deklaroi Rama.
Ai solli si precedent rastin e Kroacisë, e cila ka përfituar një periudhë tranzitore 10-vjeçare për standardet mjedisore, duke theksuar se një mekanizëm i tillë është pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së.
Rama rikujtoi situatën problematike të viteve të shkuara, duke përmendur tregjet informale dhe mungesën e kontrollit në zinxhirin ushqimor, ndërsa pranoi se megjithëse është bërë progres, Shqipëria mbetet ende larg standardeve evropiane.
“Nëse nuk përmbushim kriteret, pas përfundimit të periudhës së ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk mund të shitet jashtë, madje edhe brenda vendit mund të bllokohet. Skenari më pesimist është që gjithçka që hahet të importohet”, paralajmëroi Kryeministri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)