Gjykata Kushtetuese vendos sot për Ballukun, GJKKO refuzon të marrë pjesë në seancë
GJKKO ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të dërgojë përfaqësues në seancë, duke argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në Gjykatën Kushtetuese duke nisur nga ora 10:00 po zhvillohet seanca lidhur me masën e sigurisë “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, e vendosur ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme.
Seanca do të vendos për ankimimin e kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se vendimi i GJKKO-së ka cenuar kompetencat e tij kushtetuese si kryeministër. Rama kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërinstitucionale mes tij, Gjykatës së Posaçme dhe SPAK-ut, duke e cilësuar ankimin si një betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe mbrojtjen e kompetencave kryeministrore.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përfaqësohet në seancë nga këshilltari Ilir Rusmali, shefi i kabinetit Hemioni Braho dhe drejtoresha e përgjithshme Eriola Shia.
Kuvendi i Shqipërisë përfaqësohet nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi. Ndërkohë, në ambientet e gjykatës kanë mbërritur edhe dy prokurorët e çështjes.
Ndërkohë, GJKKO ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të dërgojë përfaqësues në seancë, duke argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Sipas saj, pjesëmarrja në një proces të tillë do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Ndërkohë, SPAK është në pritje të shqyrtimit nga Kuvendi të kërkesës së depozituar për autorizimin e heqjes së imunitetit të Ballukut.
Zv/kryeministrja u pezullua nga detyra dhe iu ndalua dalja jashtë vendit, me bllokim të pasaportës, pasi u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Ajo akuzohet se ka manipuluar disa procedura tenderimi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me vartësit e saj Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompani të caktuara.
Aktualisht, Balluku është rikthyer në detyrë pas një vendimi të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit. Megjithatë, masa e GJKKO-së për ndalimin e udhëtimit jashtë vendit mbetet ende në fuqi.
Foto: Newsmax Balkans
11:17 - “Balluku” në Kushtetuese, përfaqësuesja e Kuvendit: Vendimi i GJKKO krijon konfuzion juridik dhe cenon kompetencat tona
Drejtoresha juridike e Kuvendit, Mimoza Arbi, paraqiti në Gjykatën Kushtetuese qëndrimin zyrtar lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, vendim i cili është ankimuar nga Kryeministria.
Në fjalën e saj, Arbi theksoi se vendimi i GJKKO-së ka krijuar konfuzion juridik mbi statusin e akteve kushtetuese, duke vënë në diskutim efektet e dekretit të Presidentit për emërimin e ministrit.
“Vendimi krijon një konfuzion juridik në lidhje me statusin e akteve. Dekreti i Presidentit për emërimin e ministrit është akt kushtetues që prodhon efekte juridike të plota, ndërsa vendimi i GJKKO është marrë në mungesë të një baze kushtetuese”, deklaroi Arbi.
Sipas përfaqësueses së Kuvendit, pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave sjell pasoja të rënda institucionale, pasi e ndalon ministrin të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë dhe krijon një situatë të ngjashme me shkarkimin nga detyra.
“Pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndalon pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e qeverisë dhe krijon një gjendje të ngjashme me shkarkimin. Ky pezullim është pa afat, pasi lidhet me kohëzgjatjen e hetimit, dhe mund të jetë i barabartë me një mandat të tërë qeverisës”, u shpreh Arbi.
Ajo nënvizoi se kjo situatë cenon drejtpërdrejt kompetencat kushtetuese të Kuvendit, si organi i vetëm që ka të drejtë të ndërhyjë në mandatin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
“Duke pranuar që pezullimi mund të arrijë deri te shkarkimi, cënohen kompetencat e Kuvendit si organ ligjvënës. Kjo mungesë baze kushtetuese nuk është një zbrazëti ligjore, por një zgjidhje e qëllimshme e Kushtetutës”, theksoi ajo.
Në përfundim, Kuvendi i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit të GJKKO-së dhe të garantojë respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
“Ne mbështesim kërkesën e Kryeministrit drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojmë pranimin e kësaj kërkese.”
11:13-Seanca për Ballukun në Kushtetuese, përfaqësuesi i Kryeministrisë: Ministri, si deputeti, e mbron imuniteti!
Drejtori juridik i Kryeministrisë, Erald Jonuzaj, paraqiti para Gjykatës Kushtetuese qëndrimin e qeverisë lidhur me ankimimin ndaj vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Ai argumentoi se vendimi cenon kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.
Sipas Jonuzajt, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Ligjore parashikojnë barazi mes deputetit dhe ministrit sa i përket imunitetit gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se masat e sigurisë nuk mund të vendosen pa kufizime. Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë mbi ligjshmërinë e pezullimit.
“Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Ligjore, neni 22 parashikon se deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të ndalohet gjatë ushtrimit të detyrave të tij. Kushtetuta vendos një barazi mes statusit të deputetit dhe ministrit. Ministri gëzon imunitet për detyrat e tij dhe për sigurinë personale gjatë ushtrimit të funksionit”, tha Jonuzaj.
Foto: Newsmax Balkans
10:38 - Çështja “Balluku” në Kushtetuese, përfaqësuesja e Kryeministrisë: Gjykata Penale s'ka të drejtë të pezullojë ministra
Në Gjykatën Kushtetuese vijon seanca për shqyrtimin e ankimimit të kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të GJKKO-së, e cila ka vendosur pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë seancës, përfaqësuesja e Kryeministrisë, Jona Qosja, deklaroi se Këshilli i Ministrave vlerëson se një gjykatë penale nuk ka kompetencë kushtetuese për të pezulluar nga detyra një ministër. Sipas saj, çështja nuk ka të bëjë me një ankimim kushtetues individual, por me marrëdhëniet ndërmjet pushteteve.
“GJKKO pretendon se kjo kërkesë nuk mund të ngrihet, duke argumentuar se nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese. Ne sqarojmë se kjo nuk është një ankimim kushtetues individual dhe nuk ka të bëjë me mbrojtjen e të pandehurit. Kërkesat lidhen me marrëdhënien midis tre pushteteve. A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër? Ne vlerësojmë se jo”, u shpreh Qosja.
Ajo theksoi se Këshilli i Ministrave është organ i prekur drejtpërdrejt nga vendimi i pezullimit, pasi kjo masë cenon funksionimin normal të qeverisë dhe projekteve të saj.
“Pezullimi i ministres pengon funksionimin e strukturave dhe projekteve të Këshillit të Ministrave. Ministri i pezulluar nuk mund të propozojë më asnjë akt pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa kryeministri mund të propozojë vetëm për fusha që nuk mbulohen nga asnjë ministër. Në këtë mënyrë, kryeministri vihet në pozicionin ku duhet të zëvendësojë një ministër, gjë që e shtyn Këshillin të kërkojë shkarkimin e tij”, deklaroi ajo.
Sipas përfaqësueses së Kryeministrisë, mandati i një ministri nuk mund të pengohet nga asnjë pushtet tjetër përveçse nga Kushtetuta, pasi në të kundërt prishet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
“Mandati nuk mund të pengohet nga asnjë akt i asnjë pushteti tjetër, por vetëm nga Kushtetuta; përndryshe, prishet balanca e pushteteve. GJKKO ka juridiksion për të gjykuar veprën penale që ka kryer individi, por nuk ka kompetencë për të dhënë masa mbi mandatin e tij”, tha Qosja.
Ajo shtoi se për masa që pengojnë ushtrimin e detyrës së një ministri, organi kompetent është Kuvendi, i cili duhet të japë autorizimin përkatës.
“Vendimi i njëanshëm për pezullimin e zv.kryeministres nuk përmbush standardet kushtetuese dhe cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Vendimet për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kërkojmë pranimin e kërkesës sonë”, përfundoi përfaqësuesja e Kryeministrisë, Jona Qosja.
Foto: LSA
10:26 - Seanca për Ballukun, ‘Mundësia’ proteston para Kushtetueses, Shehaj: Gjykata të mos përdoret nga Rama
Teksa në Gjykatën Kushtetuese është duke u zhvilluar seanca për çështjen “Balluku”, jashtë ambienteve të saj, Partia Mundësia ka zhvilluar një protestë, ku drejtuesi i saj, Agron Shehaj, ka kërkuar t’i hapet rruga përballjes së zv/kryeministres me drejtësinë.
Shehaj tha se ai ka dorëzuar në Kushtetuese 20 mijë firma qytetarësh në mbështetje të luftës kundër korrupsionit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kreu i Partisë Mundësia u shpreh se qytetarët janë në krah të drejtësisë dhe kundër ndërhyrjeve politike.
“Populli shqiptar është me drejtësinë kundër korrupsionit, që të mos dëgjohen vetëm lobimet e politikanëve të korruptuar”, deklaroi ai.
Shehaj akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim të Gjykatës Kushtetuese në raste të mëparshme, duke përmendur rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Gjykata Kushtetuese u përdor një herë nga Rama në rastin e Veliajt, në një vendim skandaloz. Qëllimi i dorëzimit të 20 mijë firmave është të tregojmë se populli shqiptar është pro drejtësisë dhe ngre zërin për një Shqipëri ku pandëshkueshmëria merr fund”, tha ai.
Shehaj njoftoi gjithashtu se nisma do të vijojë me mbledhjen e më shumë firmave. “Do të mbledhim 100 mijë firma. Ato nuk kanë vlerë juridike, por simbolike, për të treguar se populli shqiptar është me drejtësinë dhe kundër korrupsionit. Ky është mesazhi që duam të përcjellim”, u shpreh Shehaj.
Duke iu referuar seancës në Gjykatën Kushtetuese, Shehaj theksoi se ky institucion nuk duhet të vihet në shërbim të interesave politike. Ai po ashtu e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen e kryeministrit në këtë proces.
“Populli shqiptar i ka sytë nga drejtësia. Presim që Gjykata Kushtetuese të jetë me qytetarët, me drejtësinë dhe jo me të korruptuarit. Është e paimagjinueshme që një kryeministër t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të ndalojë pezullimin e një zëvendëskryeministreje, të kapur duke abuzuar me fondet e qytetarëve shqiptarë”, theksoi Shehaj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zbuloi në një konferencë për mediat se Serbisë i është dërguar një ftesë për t'iu bashkuar aleancës trepalëshe ushtarake mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.
Izraeli thotë se ka rënë dakord të rihapë pikën kufitare kyçe të Rripit të Gazës me Egjiptin vetëm pasi të përfundojë një operacion për të rimarrë trupin e pengut të fundit izraelit të mbetur në territor.
Komisioni Evropian ka nisur një hetim ndaj X të Elon Musk për shkak të shqetësimeve se inteligjenca e tij artificiale, Grok, është përdorur për të krijuar imazhe të seksualizuara të njerëzve të vërtetë.
Instituti i Gjeoshkencave bën të ditur se këtë të mërkurë rikthehen reshjet, e në qarqet Vlorë, Shkodër e Gjirokatër për shkak të shtrëngatave dhe intensitetit të lartë të reshjeve.
Një 45-vjeçar është plagosur me armë zjarri pas një konflikti me dy kushërinj. Sipas informacioneve paraprake ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.30 në lagjen Kodër Shijak.
BE ka ndarë 171 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, por Kosova përjashtohet për momentin për shkak të mungesës së ratifikimit të Marrëveshjes së Kredisë dhe Fondeve.
Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj akuzoi mazhorancën se ka marrë në mbrojtje Belinda Ballukun, e cila akuzohet nga Struktura e Posaçme për abuzim me fondet e shqiptarëve.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka mbrojtur Policinë e Shtetit për ngjarjet e shënuara në protestën e fundit të opozitës. Sipas saj, efektivët nuk ushtruan dhunë dhe vepruan sipas ligjit.
New York Times e përshkruan “Diellën”, ministren virtuale të Shqipërisë, si një simbol paradoksal të luftës kundër korrupsionit, në një realitet ku institucionet që e krijuan dhe e menaxhojnë atë janë vetë nën hetim penal për abuzime.
Komente (0)