Armë dhe dronë “Made in Albania” në 2026, Vengu: Kemi 6 kontrata nga KAYO, do nisim prodhimin

Brenda vitit 2026, Shqipëria do të ketë prodhuar municionet dhe dronët e parë të markës "Made in Albania". Kështu pohoi në Komisionin e Jashtëm, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, teksa prezantoi një paketë të re ligjore për forcimin e kontrolleve në eksportin, importin dhe tranzitin e armëve.

23.01.2026. 11:40

Armë dhe dronë “Made in Albania” në 2026, Vengu: Kemi 6 kontrata nga KAYO, do nisim prodhimin

2026 do të jetë viti kur do të prodhohen armatimet e para me markën “Made in Albania”. Këtë e konfirmoi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, teksa prezantoi në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, paketën e re për ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me forcimin e kontrolleve në eksportin, importin dhe tranzitin e armëve të zjarrit.

Sipas Vengut paketa e re ligjore ka për qëllim përshtatjen me direktivat e OKB-së dhe Bashkimit Europian, në kuadër të unifikimit të legjislacionit dhe praktikave.

“Projektligji për importin, eksportin, transitin e armëve të zjarrit dhe municioneve vjen si përgjigje për një nevojë reale për të modernizuar kontrollin shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të armëve të zjarrit. Detyrimet që na çuan drejt kësaj reformë burojnë nga protokolli i OKB kundër prodhimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe nga ana tjetër dhe nga direktivat e fundit të BE-së”, u shpreh Vengu.

Sipas ministrit të Mbrojtjes në vend do të ngrihen 6 kompani në partneritet mes shtetit dhe privatit, me kontratat tashmë të nënshkruara nga KAYO, të cilat do të realizojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidron dhe mjeteve të emergjencave civile.

“Sa i përket industrisë ushtarake, jam i gatshëm që të bëjmë një sesion të posaçëm, një pjesë me dyer të hapura, një pjesë me dyer të mbyllura, për ato elementë që duhet të ruajnë konfidencialitetin sepse janë prodhime armatimi për nevojat tona. Kemi 6 kontrata të nënshkruara aktualisht për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta shtet-privat përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe 6 operatorëve privatë. 6 kontratat parashikojnë krijimin e municioneve, mjeteve pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjeteve të emergjencave civile. Jemi në përfundim të negociatave për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit në bashkëpunim me gjigandin italian për të pasur mundësi të prodhojmë anijet tona, t’i mirëmbajmë dhe të prodhojmë dhe mirëmbajmë mjete për vendet aleate. Ky është spektri në të cilin po ecim. Presim që produktet e para “Made in Albania”, për mjetet taktike, të emergjencave dhe uniformave dhe municionet, prodhimet e para të fillojnë këtë vit. Ministria e Mbrojtjes është duke realizuar hapat përfundimtare për rishikimi strategjik të mbrojtjes 2026. Kemi hyrë në fazën që duam të sigurojmë zinxhirin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet në mënyrë që të jemi në përputhje dhe me standardet e NATO-s”, deklaroi Vengu.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)