Shefi i stacionit të Orikumit dhe dy policë arrestohen për korrupsion

Tre efektivët kërkuan dhe kanë marrë shumën prej 270 mijë lekësh nga një shtetas, në shtator të vitit 2025, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

24.01.2026. 09:43

Shefi i stacionit të Orikumit dhe dy policë arrestohen për korrupsion

Tre punonjës policie, mes tyre shefi i Stacionit të Policisë Orikum, janë arrestuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues u vendos ndaj shtetasve D. L., me detyrë inspektor krimesh në Stacionin e Policisë Orikum; A. J., shef i Stacionit të Policisë Orikum dhe A. F., specialist i Policimit në Zonë pranë të njëjtit stacion. Sipas hetimeve, tre efektivët dyshohet se në shtator të vitit 2025, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur detyrën, kanë kërkuar dhe kanë marrë shumën prej 270 mijë lekësh nga një shtetas, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Hetimi, i zhvilluar për disa muaj nën drejtimin e SPAK, mundësoi dokumentimin me prova ligjore të veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim detyre”. Autoritetet njoftuan se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)