Sot protesta e Partisë Demokratike, policia e Tiranës zbulon masat

Tubimi zhvillohet përpara Kryeministrisë, duke nisur nga ora 17:00, bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

24.01.2026. 10:28

Sot protesta e Partisë Demokratike, policia e Tiranës zbulon masat

Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kuadër të tubimit të paralajmëruar nga përfaqësues të Partisë Demokratike, i cili do të zhvillohet sot përpara Kryeministrisë, duke nisur nga ora 17:00. Sipas njoftimit zyrtar, në zbatim të ligjit “Për tubimet”, masat synojnë garantimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e qytetarëve, si dhe të pronës publike dhe private.

Për mbarëvajtjen e protestës, Policia bëri me dije se do të ketë kufizime të qarkullimit në disa segmente rrugore. Prej mesnatës mes të premtes dhe të shtunës u ndalua lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri në rrugën “Ismail Qemali”. Kjo masë do të qëndrojë në fuqi deri në përfundim të tubimit.

Nga ora 15:00 e ditës së sotme dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Policia njofton se, në varësi të zhvillimit të situatës, mund të ketë kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore. Në këto raste, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative.

Policia e Tiranës i bëri apel qytetarëve, që të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar zhvillimin e tubimit. Njëkohësisht, duke iu referuar disa deklaratave publike, Policia apeloi që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm, i cili cenon rendin dhe sigurinë publike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)