Viti i ri gjyqësor, nga kërkesa për investime tek garancia për besueshmëri

Në Tiranë për herë të parë është mbajtur viti i ri gjyqësor, me tematikën "Drejtësia përballë pavarësisë, përgjegjësisë dhe besimit publik”.

26.01.2026. 11:42

Viti i ri gjyqësor, nga kërkesa për investime tek garancia për besueshmëri

Në Tiranë për herë të parë është mbajtur viti i ri gjyqësor, me tematikën "Drejtësia përballë pavarësisë, përgjegjësisë dhe besimit publik”.

I pranishëm ishte kreu i shtetit Bajram Begaj i cili tha se reforma në drejtësi ishte përgjigje e domosdoshme për pavarësinë e sistemit. 

“Drejtësia është garancia që i jep kuptim shtetit. Ky vit gjyqësor përkon me 10 vjetorin  e Reformës në drejtësi e ndërtuar me mbështetjen  e partnerëve. Reforma ishte përgjigje e domosdoshme  ndaj një krize të thellë besimi dhe krijoi pritshmëri për drejtësi të larta. 10 vite më pas rezultatet janë të dukshme. Çdo ditë duhet të flasim për drejtësinë dhe cilësinë e saj, për vënien e sistemit në efiçencë, për forcimin e standarteve, kështu merr kuptim pavarësia dhe fitohet besimi publik. Disa i ka në dorë qeveria, disa parlamenti. Kërkohet përgjegjësi institucionale ku vendimmarrja të jetë ushtrimi i funksionit kushtetues që garanton siguri kiridike, parashikueshmëri dhe barazi para ligjit”, tha presidenti Begaj.


Ndërsa kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se shteti që kërkon drejtësi të fortë duhet të investojë. Në një shtet demokratik, tha ai, ndarja dhe balanca e pushteteve nuk janë parime abstrakte, por mekanizma sigurie ku drejtësia ka një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e paanësisë dhe mbrojtjes efektive të të drejtave.

"Për vitin gjyqësor që hapim sot angazhimi ynë duhet të jetë i dukshëm në disa drejtime. Së pari, qartësia dhe cilësia e arsyetimit. Kur arsyetimi është i qartë, qytetari e kupton drejtësinë. Prandaj standardi ynë nuk duhet të jetë vetëm të vendosim por të shpjegojmë se përse vendosim në atë mënyrë. Së dyti, koha e arsyeshme. Drejtësia që vonon, rrezikon të kthehet në padrejtësi. Së treti, koherenca dhe parashikueshmëria. Këto sfida nuk përballohen nga një institucion i vetëm. Arrihen përmes kjo shërben edhe si ftesë për dialog institucional të shëndetshëm brenda kufijve të kushtetutës. I drejtohem pushteti ekzekutiv dhe legjislativ me frymën e bashkëpunimit kushtetues, mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, kështu nevojitet financim, politika dhe programe infrastruktura dhe investime serioze në dixhitalizim. Një shtet që kërkon drejtësi të fortë, duhet të investojë", tha ai.

Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha se aktualisht Shqipëria është në fazën e llogaridhënies, dhe se reforma në drejtësi i hapi rrugën Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. 

“Ky është një rast i vlefshëm për të reflektuar mbi hendekun në sistemin e drejtësisë, kur afro një dekadë më parë u desh të nënshtrohej një reformë e thellë. Pavarësia nuk mund të kuptohet pa një llogaridhënie, pasi zbatimi me objektivitet i parimit të kontrollit mund të sigurojë përgjegjshmërinë, transparencën dhe pushtetin e qëndrueshëm të një sistemi ku Gjykata nuk është thjesht një zbatuese e ligjit, por interpretuese e vlerave kushtetuese, duke shërbyer kështu si balancues moral dhe juridik i garantimit të të drejtave dhe lirive themelore. Vetëm në këtë mënyrë ato ruajnë dhe forcojnë besimin e publikut. Reforma në drejtësi ishte reforma kyçe që hapi rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, krijoi institucione të reja dhe, bashkë me to, praktikat e tjera shoqërore. Sot nuk jemi më në fazën e ndërtimit, por në fazën e dhënies së llogarisë dhe konsolidimit. Rënia e mitit kundër pandëshkueshmërisë, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, mbetet një sfidë e rëndësishme. Inpektoriati i Lartë i Drejtësisë është krijuar pikërisht për qëllimin për të garantuar standarde të larta profesionalimi dhe disipline në radhët e magjistratëve. Në vitet 2023-2025, numri i inspektimeve dhe hetimeve disiplinore mbeti i ulët. Konkretisht nga 1374 ankesa të regjistruara, janë marrë vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor për 25 magjistratë, ndërsa pjesa tjetër dërrmuese është arkivuar pas shqyrtimit fillestar”, tha Lamallari.

Të pranishëm ishte dhe kreu i SPAK, Klodjan Braho, përfaqësues te avokatisë etj. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)