Aleanca ushtarake me Kosovën dhe Kroacinë, Vengu: I kemi dërguar ftesë edhe Serbisë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zbuloi në një konferencë për mediat se Serbisë i është dërguar një ftesë për t'iu bashkuar aleancës trepalëshe ushtarake mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

26.01.2026. 13:13

Aleanca ushtarake me Kosovën dhe Kroacinë, Vengu: I kemi dërguar ftesë edhe Serbisë

Në Beograd ka mbërritur një ftesë nga Tirana zyrtare për t’ju bashkuar aleancës trilaterale në fushën e mbrojtjes, që u nënshkrua vitin e kaluar në Tiranë mes ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Këtë detaj e zbuloi ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë një konference për shtyp, ku gazetarët i kërkuan koment mbi deklaratat ku Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shpreh shqetësim për armatosjen e vendeve fqinje dhe bashkëpunimin e ngushtë ushtarak mes tyre.

Vengu sqaroi se aleanca trepalëshe nuk kërcënon askënd në rajon dhe është një bashkëpunim vetëm në nivel përgatitjesh ushtarake dhe prodhimit industrial të pajisjeve dhe mjeteve.

“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ju them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë pse jo edhe Serbia t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Ja u merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese. Mund t’iu them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojmë”, deklaroi Vengu.

Në vijim, Vengu nënvizoi se të tre vendet nuk kanë nevojë të kërkojnë leje diku për të bashkëpunuar.

“Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara. Dhe kjo vjen për dy arsye. E para sepse lexojmë rreziqe dhe kërcënime në rajon të në mënyrë të njëmënd. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë të marrin leje për sa i përket kësaj pjese. E treta, mikpresim edhe vende të tjera të na bashkëngjiten. Pra është një bashkëpunim dhe partneritet i hapur. Shumëkush e quan aleancë, shumëkush e quan marrëveshje të mbrojtjes. Nuk jemi në situate të garancive të mbrojtjes, ne kemi arkitekturën tonë të sigurisë kolektive, por kemi vënë re që të tre vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve. Janë në një marrëveshje për të marrë secila më të mirë nga tjetra, sa i përket industrisë ushtrake. Kroacia, është vend lider në Europë sa i përket dronëve të vegjël luftarak dhe ka industri të konsoliduar, sikurse dhe ne synojmë që në pjesën e mjeteve taktike dhe mjeteve të blinduara të krijojmë një epërsi dhe pse jo të fillojmë të eksportojmë”, sqaroi ministri i Mbrojtjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)