Rikthehet shiu dhe shtrëngatat, Ministria e Mbrojtjes kërkon vigjilencë në disa qarqe

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar për rritje të vëmendjes për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike që priten gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në disa qarqe të vendit.

28.01.2026. 17:18

Rikthehet shiu dhe shtrëngatat, Ministria e Mbrojtjes kërkon vigjilencë në disa qarqe

Mbrëmja e sotme do ta gjejë vendin tonë nën reshjet e shiut dhe nga Ministria e Mbrojtjes kanë paralajmëruar për vëmendje të shtuar në disa qarqe, kryesisht ato të cilat u prekën nga përmbytjet e fillimvitit.

“Bazuar në informacionet e IGJEO dhe SHMU, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme priten reshje në disa qarqe të vendit, lokalisht intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata. Kërkohet rritje e vëmendjes dhe gatishmërisë nga strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, për marrjen e masave parandaluese”, njofton ministria.

Po ashtu sipas tyre u është bërë thirrje bashkive në zonat me risk më të lartë që të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren.

Prefekturat ndërkohë do të përcjellin informacionin pranë bashkive dhe do të raportojnë në kohë çdo situatë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.

Ndërkohë, Instituti i Gjeoshkencave parashikon që nga pasditja e sotme dhe deri në mbyllje të së enjtes, në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër të ketë reshje intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.

“Në qarqet e tjera reshjet priten mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh e inertesh dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Kukës, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër”, sqaron IGJEO.

Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe në zonat malore deri shumë e forte gjatë orëve të mbetura të së mërkurës. Ndërkohë nesër, era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

Sa i përket temperaturave, ditën e nesërme ato pritet të arrijnë:

në bregdet: 9 / 14 °C

në vendet e ulëta: 5 / 12 °C

në vendet malore: 2 / 8 °C

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)