Qarkullimi i autobusëve dhe mjeteve me tonazh të rëndë është ndaluar përkohësisht në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”, për shkak të përkeqësimit të situatës nga rrëshqitja e dheut.
Vendimi është marrë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në koordinim me Policia e Shtetit, pas një vlerësimi të kryer në terren gjatë orëve të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar për shtyp, “situata në vendin e rrëshqitjes është agravuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit”, duke e bërë të domosdoshme marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë rrugore.
ARRSH bën me dije se “do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe i autobusëve në këtë segment, deri në një njoftim të dytë, për arsye sigurie.”
Ndërkohë, strukturat e Policisë Rrugore në qarkun e Elbasanit kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë shtuar shërbimet në terren për devijimin dhe ndalimin e mjeteve që preken nga ky vendim.
Zona e “Arrave të Gurrës” është një segment problematik, ku edhe më herët janë regjistruar rrëshqitje dheu. Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të rënda dhe operatorëve të transportit që të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative deri në stabilizimin e plotë të situatës.
“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme”, thuhet më tej në njoftimin e ARRSH.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)