Tërmet i fortë në Greqi, lëkundjet ndjehen dhe në disa qytete shqiptare

Një tërmet i fuqishëm ka goditur Greqinë në orët e para të mëngjesit, lëkundjet e të cilit u ndjenë dhe në disa qytete shqiptare.

08.03.2026. 10:24

Tërmet i fortë në Greqi, lëkundjet ndjehen dhe në disa qytete shqiptare

Një tërmet me magnitudë 5.3 ballë i shkallës Rihter goditi në orët e para të mëngjesit veriperëndimin e Greqisë, shumë pranë kufirit me Shqipërinë, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Greqisë, lëkundjet sizmike u regjistruan rreth orës 05:32 të mëngjesit, ndërkohë që epiqendra e tërmetit ishte rreth 12 kilometra në lindje të Leptokarisë, në rajonin e Thesprotisë, ndërsa thellësia e tij u vlerësua rreth 12.9 kilometra.

Vetëm pak minuta pas goditjes së parë, në të njëjtën zonë u regjistrua edhe një pasgoditje me magnitudë 4.7, rreth 20 kilometra nga qyteti i Janinës dhe shumë pranë kufirit shqiptaro-grek.

Lëkundjet u ndjenë mjaft fort në disa rajone të Greqisë veriperëndimore, përfshirë Ishujt Jonianë dhe zona të Thesalisë. Në shumë qytete banorët dolën jashtë banesave nga frika, ndërsa momentet e tërmetit u shoqëruan me panik dhe pasiguri.

Tërmetet janë ndjerë edhe në Shqipëri, veçanërisht në zonat jugore dhe jugperëndimore të vendit, përfshirë Sarandën, Gjirokastrën dhe qytete të tjera pranë kufirit, ku banorët raportuan se lëkundjet zgjatën disa sekonda.

Deri në këto momente autoritetet greke nuk kanë raportuar për dëme materiale apo persona të lënduar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)