Drejtuesi i policisë së Shtetit Skënder Hita është takuar me drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë së Shkodrës dhe Lezhës.
Ai tha se është e papranueshme që Shkodra dhe Lezha të vijojnë çdo vit me të njëjtën situatë, duke gjetur dhe shkatërruar bimët e kultivuara, dhe kërkoi studim të plotë të situatës, analizë të çdo informacioni dhe të rasteve të mëparshme, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Porosia e tij e prerë ishte: “Punë parandaluese, gjurmuese dhe hetime cilësore në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, profesionalizëm, integritet dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe ligjit.”
Gjatë këtyre takimeve, Drejtori i Përgjithshëm prezantoi objektivat kryesore të punës, duke kërkuar masa të menjëhershme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e financuesve, organizatorëve dhe trafikantëve të lëndëve narkotike.
Në fokus të detyrave të lëna ishin gjithashtu goditja e armëmbajtjes pa leje, rritja e kontrolleve dhe sigurimi i informacionit për kapjen e personave të armatosur në ambiente publike apo me automjete, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe zbardhja e ngjarjeve kriminale, ndërtimet pa leje, lojërat e fatit dhe call center-at, si dhe reagimi i menjëhershëm dhe profesional ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve, me shërbim etik dhe profesional.
U theksua gjithashtu siguria në shkolla, siguria rrugore dhe siguria e pronës.
Drejtori paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje e ligjit, duke theksuar se, ashtu siç u veprua me Komisariatin e Policisë Peqin, do të veprohet me këdo që abuzon me detyrën apo bëhet palë me paligjshmërinë.
Policia Kufitare duhet të jetë model në shërbim, të menaxhojë flukset për të shmangur radhët dhe të garantojë një pritje dinjitoze për qytetarët dhe turistët.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)