Bashkimi Evropian ka reaguar pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të ndryshimeve në ligjin “Për portet turistike”, duke shprehur shqetësime për përputhshmërinë e tij me standardet evropiane.
Në një deklaratë zyrtare, Bashkimi Evropian bëri të ditur se do të analizojë nga afër ndryshimet ligjore, veçanërisht në lidhje me procedurat e prokurimit publik dhe mënyrën e dhënies së koncesioneve. Sipas BE-së, këto procedura duhet të jenë transparente dhe konkurruese, në përputhje me legjislacionin evropian.
“Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime”, shkruhet në reagim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)