Në seancën plenare të kësaj të enjteje, Parlamentit iu paraqitën tre projektligje të rëndësishme për marrëveshjet e kredisë dhe grantit që do të sigurojnë financimin e rehabilitimit dhe modernizimit të linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një ndër projektet më strategjike të transportit në vend.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, e cilësoi këtë projekt si thelbësor për rindërtimin e korridoreve hekurudhore kombëtare dhe integrimin me rrjetet europiane.
“Ky projekt shënon fazën e parë të funksionimit të Korridorit Hekurudhor VIII. Nuk është thjesht një ndërhyrje teknike mbi një trase hekurudhore, por një investim strategjik në garantimin e një ndërlidhjeje kombëtare dhe ndërkombëtare”, deklaroi Malaj nga foltorja e Kuvendit.
Sipas ministrit, vlera totale e projektit arrin në 120.5 milionë euro, të siguruara përmes bashkëpunimit me BERZH, BEI dhe BE-në.
“Konkretisht, një kredi prej 30 milionë euro nga BERZH, një kredi tjetër prej 30 milionë euro nga BEI dhe një grant prej 60.5 milionë euro nga Bashkimi Europian përmes Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, sqaroi ai.
Më tej shefi i Financave theksoi se rehabilitimi i hekurudhës Durrës–Rrogozhinë synon të krijojë efekte të shumëfishta ekonomike, logjistike dhe mjedisore.
“Ky projekt përfaqëson angazhimin e shtetit shqiptar për modernizimin e rrjetit të transportit, rritjen e ndërlidhjes ekonomike me rajonin dhe forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore dhe sociale”, nënvizoi ministri.
Projekti në fjalë pritet të sjellë një sërë përmirësimesh strategjike në infrastrukturën hekurudhore si forcimi i lidhjes midis Portit të Durrësit dhe qendrave industriale e logjistike të vendit, integrimin me linjën Durrës–Tiranë, aktualisht në ndërtim, dhe më tej me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, por edhe ndërlidhjen me segmentin Vorë–Hani i Hotit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)