Paqja Fiskale, “Mbyll njërin sy, për mirë apo për keq”

Nisma e qeverisë për Paqen Fiskale ka hapur një debat të gjerë publik. Deputetja demokrate Jorida Tabaku e cilëson nismën si një “amnisti fiskale të maskuar”, duke argumentuar se ligji favorizon bizneset që kanë shkelur rregullat dhe penalizon ata që kanë paguar ndershmërisht.

08.12.2025. 19:19

Paqja Fiskale, “Mbyll njërin sy, për mirë apo për keq”

Kur kryeministri Edi Rama prezantoi nismën e tij për Paqen Fiskale, në axhendën e fushatës për zgjedhjet e 11 Majit, qëllimi ishte të rritej deklarimi vullnetar dhe të formalizohej ekonomia. Por ndërsa projektligji hyn në debat publik, zërat kritik nuk kanë munguar.

Jorida Tabaku, deputete e opozitës dhe kritikja më e fortë e projektligjit, e përshkruan atë si një “amnisti fiskale të maskuar”. “Ky ligj legalizon evazionin dhe favorizon ata që kanë bërë shkelje, jo ata që kanë paguar ndershmërisht,” thotë ajo. Tabaku ka kërkuar publikimin e listës së përfituesve për të mos lejuar dy standarde, por qeveria ka refuzuar, duke argumentuar se informacioni është “sensitiv” dhe ekspozon të dhëna të bizneseve që nuk duhen hedhur në publik.

Rreziku i parë që Tabaku përmend është pabarazia në treg. Për shembull, një kompani e madhe ndërtimi, e cila ka raportuar borxhe të mëdha dhe pasqyra të paqarta financiare, mund të rideklarojë pasuritë dhe inventarin për vitet e fundit, duke paguar vetëm 5% tatim. Ndërkohë, një biznes i vogël lokal, që ka punuar korrekt dhe ka deklaruar çdo detyrim, nuk ka hapësira të tilla për rideklarime, duke krijuar një pabarazi të qartë.

Nuk është vetëm opozita këtë herë kundër qeverisë, por edhe i vetmi zë ekonomik që dëgjohet në radhët e maxhorancës, Erion Brace. Deputeti socialist shprehet se” Unë nuk i pranoj dot, jam kundër. Sa kohë ke bërë biznes, ke fituar dhe nuk ke paguar. Për mua nuk duhet të ketë shuarje detyrimesh. Për gjykimin tim, ligji nuk është shkruar mirë, pavarësisht qëllimit- u shpreh deputeti socialist. Ai sheh rrezikun e legalizimit të parave të pista, si përshembull, një ndërmarrje që ka evazion të theksuar mund të “blejë” qetësinë tatimore për një vit, duke shmangur kontrollin.

Ministri Malaj, nga ana tjetër, nuk e sheh problematike këtë nismë, por thekson pjesët pozitive që sipas tij do të rrisin formalizimin dhe përgjegjshmërinë e bizneseve duke deklaruar në mënyrë vullnetare. “Paqja Fiskale nuk është amnisti penale dhe nuk u jep imunitet asnjë subjekti që është në hetim,” thotë ai.

Një shembull pozitiv për të mbështetur idenë e qeverisë, është një dyqan i vogël ushqimor në Tiranë, i cili ka pasur vonesa të vogla në pagesat e tatimeve. Me këtë paketë, mund të rregullojë pasqyrat për tre vitet e fundit dhe të hyjë në një status të qetë fiskal, pa penalitete të mëdha, duke u fokusuar më shumë në zhvillimin e biznesit.

Edhe pse Ministri i Financave garantoi në një intervistë të fundit se këto nisma kanë marrë dritën jeshile nga institucionet ndërkombëtare, FMN muajin e kaluar kërkoi të bëhej kujdes për të ruajtur drejtësinë fiskale. Kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”- tha shefja e misionit, Anke Weber, më 14 nëntor.

Në thelb, Paqja Fiskale është një histori që përfshin mundësi dhe rreziqe. Tabaku dhe Braçe paralajmërojnë për pabarazi dhe legalizim të evazionit, ndërsa Ministri Petrit Malaj, në emër të qeverisë, thekson që nisma ka për qëllim formalizimin dhe stabilitetin fiskal. Çështja më e madhe mbetet balanca mes transparencës, barazisë dhe stimulimit të ekonomisë. Për qytetarët dhe bizneset e vogla, kjo mund të jetë një mundësi e mirë. Për bizneset e mëdha me histori borxhi, mund të shihet si një “rrugë e shkurtër” për të pastruar bilancet.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)